Është recetë e shpejtë dhe shumë e mirë për çaj apo kafe, ose edhe me një gotë tamël/qumësht për mëngjez të shpejtë. Është diçka në mes të biskotave dhe kekut, që ti kujton gurabijet, por këto janë të buta dhe të shkrifta.
Mund të përdorni xhenxhefil pluhur, unë kam përdorë të freskët, e në këtë rast filloni së pari me gërryerjen e xhenxhefilit dhe arrës së muskatit.
Përbërësit (për 22 -28 copë)
- 2 1/2 gotë (250 ml) miell
- 115 gr puter/gjalpë
- 3 lugë sheqer
- 1/4 lugë sodë buke (bikarboni)
- 1/4 lugë kanellë pluhur
- 1/4 lugë arrë muskati e gërryer
- 1 lugë xhenxhefil i gërryer (ose pluhur nëse doni)
- në maje të gishtit kripë
- 1/2 gotë sirup panje apo melasë/pekmez (nëse melasa është e trashë, e ngrohni pak që të hollohet)
- 2 lugë kos të trashë me yndyrë të plotë ose krem e freskët (pavllakë)
Përgaditja
- Së pari e bëni gati tepsinë katrore të furrës, e qitni letrën për pjekje në tërë sipërfaqen e saj
- E lëshoni furrën në temperaturë 180°C
- E gërryeni së pari xhenxhefilin nëse e përdorni të freskët
- E gërryeni arrën e muskatit
- E përzieni në një enë të vogël kosin (ose kremin) me sirupin (apo melasën/pekmezin e zbutur) dhe xhenxhefilin e freskët. Nëse e keni xhenxhefilin pluhur, e përzieni tek të thatat
- Tani në një të thellë i përzieni të gjithë përbërësit tjerë përpos puterit/gjalpit. I përzieni mirë
- Tani e shtoni puterin/gjalpin e ftohtë, në copa të vogla, dhe me dorë e bëni bashkë me miellin deri sa masa të duket ngjajshëm me miell misri
- Tani i shtoni masën e lëngshme dhe filloni të përfitoni brumin
- Nëse ju duket brumi shumë i thatë, i shtoni shumë pak kos
- E punoni pak brumin deri sa të bëhet bashkë dhe e qitni në sipërfaqe me pak miell
- E shtypni së pari me dorë deri sa të hapet pak dhe pastaj e holloni me holluese në trashësi rreth 5 cm
- Me një gotë, apo me çfarëdo forme që preferoni, i preni. Brumi që ju tepron e bëni bashkë pa e ngjeshur shumë, e hapni prapë dhe i preni format
- I renditni në tepsi duke ju lënë hapësirë pak ndërmjet njëra tjetrës
- I futni në furrë të piqen 15-20 minuta. Keni kujdes, mund të piqen më shpejtë pra 10-15 minuta nëse e keni furrën e fortë. Kur të piqen duhet të jenë pak të buta në mes
- I largoni nga furra dhe i leni të ftohen pak
- Kur të ftohen i qitni në një enë që mbyllet
Mund ti servoni menjëherë posa që janë ftohë pak. Janë shumë të mira për çaj apo kafe por edhe si mëngjez i shpejtë me një gotë tamël/qumësht.
Servimi






Ju bëftë mirë!