Ky është kek i shpejtë dhe shumë i shijshëm. Pasi që bëhet me kos bëhet shumë i butë. Mund ta leni thjeshtë si kek të thatë që mund ta servoni me çaj apo ti pregatisni çokollatë dhe ta bëni desert të plotë.

Për këtë ëmbëlsirë nuk keni nevojë të mundoheni fare me tundje, thjesht i bëni përbërësit bashkë, së pari sheqerin me të lëngshmet dhe miellin me të thatat dhe sigurohuni që të përzihen mirë me njëra tjetrën.

Përbërësit (për 8 -12 copë)

  • 1/2 gotë (250 ml) sheqer i kaftë. Mund të shtoni + 1/2 gotë sheqer nëse doni më shumë ëmbëlsi
  • 1 gotë e plotë kos (pa cik)
  • 1/4 gotë vaj (63 ml)
  • 1 lugë e mesme esencë vanileje ose 1 qese sheqer vanileje apo 1/2 qese vanile e bluar
  • 1 gotë e plotë miell (180 gr)
  • 3 lugë kakao natyrale
  • 1 lugë e mesme sodë buke (bikarboni)
  • në maje të gishtit kripë
  • Kremi i çokollatës (versioni 1): 75 gr ajkë e ëmbël dhe 75 gr çokollatë për zierje
  • Kremi i çokollatës (versioni 2): 60 gr kos i trashë me yndyrë (stili grek), 50 gr kakao, 3 lugë mjaltë apo sirup panje

Përgaditja

  1. Së pari e bëni gati tepsinë me diametër rreth 20 cm, ose kallëpe për mafin, duke i lyer me puter/gjalpë ose vaj. E lëshoni furrën në temperaturë 170°C – 180°C
  2. Në një enë të thellë i përzieni së pari sheqerin, kosin, vajin dhe esencën e vaniles apo sheqerin e vaniles. Nëse vanilen e keni pluhur (të bluar) e shtoni tek mielli
  3. Në një enë tjetër e përzieni miellin me kakaon, sodën bikarbone dhe kripën. Kakao natyrale, poashtu edhe soda bikarbone, mund të bëhen kokrra prandaj për çdo rast i sitni me një kulluese/sitë
  4. Pasi që i keni përzier mirë përbërësit e thatë ia shtoni përbërësit e lëngshëm duke i përzier me një shpatull deri sa të bashkëdyzohen (nuk ka nevojë të tundet)
  5. Pasi që të përzihen mirë e qitni brumin në tepsi ose e ndani në kallëpe për mafin. E rrafshoni mirë dhe e futni në furrë që të piqet për 35-40 minuta. Nëse i bëni në forma të mafin i pjekni për 20 minuta
  6. Pasi që të piqet, e mbyllni temperaturën e leni edhe 3-4 minuta
  7. E nxjerrni nga furra. E leni të pushojë për 15 minuta. Me një thikë e lironi anash brumin dhe (nëse keni tepsi që i largohet rrethi) e largoni nga tepsia apo mafinët nga kallëpet
  8. Mund ta servoni menjëherë me çaj ose mund të pregatisni kremin e çokollatës
  9. Versioni 1: e ngrohni ajkën dhe ia shtoni çokollatës së coptuar. E përzieni derisa të shkrihet çokollata
  10. Versioni 2: E përzieni kosin, kakaon dhe mjaltin (apo sirupin e panjës). Kaq!
  11. E zbukuroni kekun posa të ftohet

Servimi

Nëse e mbani kekun pa kremin e çokollatës, mund ta servoni menjëherë me çaj. Nëse i shtoni kremin e çokollatës, e servoni si desert apo edhe me kafe. Kur i shtoni kremin e çokollatës duhet ta mbani kekun në frigorifer, përndryshe nuk ka nevojë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment