Reçeli i fikut të papjekur për mua është shumë ekzotik dhe me shije shumë komplekse. Për ne në Kosovë, ata që kemi pemë fiqi në oborr, tash në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit nuk mund të na piqen më fiqtë prandaj ata që janë në degë të papjekur është më së miri që ti përdorim për reçel. Edhepse tentoj të mos ha reçel për shkak të sasisë së sheqerit, këtij reçeli nuk mund ti rezistoj.

Mua më pëlqen pak shija e idhët e fikut prandaj edhe nuk i ziej shumë para se ta ziej në sheqer, vetëm 2 herë nga 10 minuta, por ju mund ta zgjatni pak zierjen, dy herë nga 15 minuta.

Përbërësit (për 1 gavanoz të vogël)

  • 200 gr fiq të papjekur ende të gjelbër
  • 200 gr sheqer
  • 2 dcl ujë (për sirupin e sheqerit)
  • 2 krishka limon ose limet
  • mëlmesë karafil 4-5 copë (unë kam përdorë kokrra të allspice ose pimenta pasi që nuk kisha karafil)

Përgaditja

  1. I pastroni fiqtë me ujë dhe pastaj ia preni bishtat. Fiku e lëshon një lëng të bardhë që ngjitet
  2. I qitni në një enë me ujë të ftohtë dhe i zieni për 10-15 minuta. E mbyllni temperaturën dhe i leni që të ftohen. E derdhni ujin dhe i ndrydhni nga pak që të del uji
  3. I ktheni prapë në enë, i shpërlani dhe i mbushni edhe një herë me ujë që ti zieni edhe 10-15 minuta tjera pasi. Kohën e matni prej momentit që merr valë
  4. I leni edhe një herë që të ftohen dhe i shpërlani. Prap i ndrydhni nga pak që të ju del uji
  5. Tani e qitni sheqerin me ujin në një enë, së bashku me mëlmesat, në zjarrë të lartë deri sa të merr valë, duke e përzier që të mos ngjitet sheqeri
  6. Kur të fillon të vlojë i shtoni fiqtë dhe i zieni për afro 10 minuta, në temperaturë mesatare dhe pa e mbuluar
  7. Tani i shtoni edhe limonin dhe i zieni edhe 20-30 minuta tjerë
  8. Nëse doni që të jenë fiqtë më të butë mund të zgjasni zierjen edhe për 10 minuta tjerë. Në fund i largoni frishkat e limonit dhe mëlmesat
  9. I qitni menjëherë në një gavanoz, duke i renditur së pari fiqtë mirë, pastaj ia shtoni sirupin. E shiqoni mos ka mbetur ndonjë fluskë ajri, nëse po, me një shkop të drurit i shpërtheni fluskat e ajrit, keni kujdes të mos i shpërbëni fiqtë. E mbuloni me letër kuzhine deri sa të ftohet dhe pastaj e mbyllni me kapak
  10. E ruani në frigorifer. Nëse ju ka tepruar nga sirupi, pra nuk e ka zënë në gavanoz, mos e hudhni, e qitni në një gavanoz tjetër dhe e mbani rezervë nëse reçeli ju mbetet pa lëng kur filloni ta servoni

Servimi

Reçeli duhet të rrijë së paku 24 orë, të pushojë, para se ta servoni. Mund ta servoni me kafe në mëngjes apo si mirëseardhje për musafirë ose si shtesë të akullores apo ndonjë deserti që kërkon pak më shumë ëmbëlsirë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment