Pelamid (ose Bonito) është peshk në familjen e Tonit dhe Skumbrisë. Mishin e ka të ngjajshëm me Skumbrinë, është më i errët se i Tonit, anon nga ngjyra kafe. Me salca aziatike, si Skumbria poashtu edhe Bonito (Pelamidi) kur janë të filetuar janë fantastik. Pasi që receta është shumë e thjeshtë dhe varet shumë nga kualiteti i salcës së sojës, tentoni të përdorni kualitetin më të mirë të sojës sepse ia vlen.
Si shoqërues do të bëjmë kungulleshka që do ta përdorin të njejtën marinadë si peshku.
Përbërësit (për 3 persona)
- 250-300 gr fileto Pelamidi apo të Skumbrias
- 3 kungulleshka të vogla
- 1-2 lugë vaj ulliri për përzhitje
- Për marinadën:
- 6 lugë soja salcë (më e lehtë por e kualitetit të mirë pasi që mund të ju prishë shijen)
- 1 lugë e mesme xhenxhefil i gërryer imët
- lëngu i 1/2 limoni ose 2/3 limeti
- 1 lugë e vogël salcë e djegës nga receta e postuar më parë (nëse nuk e keni këtë salcë shtoni 1 lugë mjaltë dhe pak fluska të specit të djegës)
Përgaditja
- Kërkoni që në shitore të peshkut të ju ndajnë fileto pa hala të peshkut, nëse pritoni që ta filetoni vet. I pastroni copat e peshkut me ujë dhe i kulloni mirë. Pastaj i thani me letër kuzhine
- Në një enë të thellë i përzieni të gjithë përbërësit e nevojshëm për marinadën. I rezervoni 2 lugë të plota për kungulleshkat
- I qitni copat e peshkut në marinadën e përgaditur dhe i lyeni mirë nga të gjitha anët, i mbuloni me një kapak deri sa ti bëni gati kungulleshkat
- I pastroni kungulleshkat dhe i preni në rriska të holla dhe të gjata. I leni në letër të kuzhinës që të thahen
- E nxeni mirë një fërtere pak më të madhe, ia qitni shumë pak vaj dhe menjëherë i qitni copat e peshkut një nga një. Kujdesuni që të kenë hapësirë në mes njëra tjetrës që të mos ulet temperatura e fërteres. Ky lloj i peshkut duhet të piqet shpejtë në zjarrë të fortë që të skuqet në sipërfaqe por të mbetet i butë brenda. Mos e piqni më shumë se 2 minuta në secilën anë. Pasi që të jenë pjekur të gjitha copat, nëse ka mbetur marinadë ia shtoni dhe i largoni nga zjarri. I qitni në një enë ku do ti servoni, që të pushojnë deri sa i përzhitni kungulleshkat. Ia shtoni gjithë lëngun që ka mbetë në fërtere pasi që aty janë të gjitha shijet. Nëse është tharë, vetëm i shtoni pak ujë deri sa të lirohet
- E nxeni një fërtere tjetër dhe i qitni pak vaj, i shtoni kungulleshat deri sa të mbulohet fundi i fërteres, mos i qitni të gjitha
- I rrotulloni, dhe si të vëreni që kanë filluar të skuqen pak, i largoni. E përsëritni deri sa të kryhet e gjithë sasia e kungulleshave. Në fund, i ktheni të gjitha kungulleshat në fërtere përsëri dhe i shtoni salcën. E ndërpreni zjarrin dhe vetëm i përzieni të gjitha së bashku deri sa të marrin shijen e salcës. I qitni në një enë ku do ti servoni. Nëse doni, kungulleshat mund ti zbukuroni me pak fara susami
Servimi
I servoni menjëherë me pak bukë anash nëse preferoni ose vetëm ashtu si janë. Nëse ju tepron ndonjë copë e peshkut e qitni në një enë që mbyllet mirë dhe e mbani në frigorifer për një ditë, mund ta përdorni për sendviçë.






Ju bëftë mirë!