Keku me djathë është recetë klasike amerikane që është kremoze. Ky verzion ka ndikim italian pasi që bëhet me rikota (gjizë të ëmbël). Mund ta bëni vetëm me rikota apo të kombinoni edhe pak djathë krem që të bëhet më kremoze. Në këtë recetë unë i kam kombinuar të dyjat pasi që e bëra me atë që kisha në frigorifer. Nëse nuk keni rikota por vetëm djathë krem, receta ndryshon pasi që do të duhet të shtoni edhe kos të trashë që ta bëni pak më të lehtë. Shpresoj që së shpjeti do të bëj postimin e recetës klasike pa rikota.

Këtë lloj ëmbëlsire duhet ta pjekni ngadalë dhe në zjarrë të ultë dhe pastaj duhet ta prisni të ftohet mirë, së paku 2 orë, në frigorifer. Mund ta servoni ashtu si është por me ndonjë salcë (coulis) frutash manore apo të malit do të jetë shumë më e mirë. Nëse nuk keni ndonjë salcë të gatshme mund ta bëni deri sa të piqet keku në furrë ose deri sa të ftohet. Këtu do të japë një verzion me boronica. Frutat mund të jenë të ngrira apo të freskëta, sido që ti keni. Frutat më të përshtatshme janë mjedrat, vishnjet, boronicat, dredhëzat/luleshtrydhet, rrushi i serezit, etj. Tentoni që ti largoni farat, duke i kulluar në kulluese të shpeshtë metalike, në mënyrë që të jetë salca më e këndshme, pra të mos mbesin farat nëpër dhëmbë. Nëse nuk keni kohë nuk prishë punë nëse nuk i kulloni. Në atë rast është mirë që të mos i zieni frutat shumë dhe tentoni që ta ruajnë formën.

Këtë recetë mund ta bëni lirisht edhe pa koren me biskota, nëse e doni vetëm kremoze dhe ta zvogëloni sasinë e glutenit në recetë. Nëse doni të rrisni sasinë e ëmbëlsirës, thjeshtë e llogarisni përpjestimin e vezëve me djathë 1 vezë : 150 gr djathë (rikota me djathin krem së bashku), dhe natyrisht i shtoni edhe përbërësit tjerë përpjestimisht.

Për aromë duhet lëvorja e limonit pasi që është më e fortë dhe freskuese dhe poashtu më estetike pasi nuk vërehet kur të piqet. Mund të përdorni edhe lëvoren e portokalllit. Unë kam përdorë lëvoren e limetit që mbetet e gjelbër, por shija është e mirë. Tentoni të përdorni limon organik. Nëse nuk keni, e mbani limonin në ujë me sodë bikarboni, e shpërlani dhe e thani mirë para se ta gërryeni.

Përbërësit (për 8 -12 copë)

  • Për kore: 100 gr biskota me miell të zi (apo çfarëdo që keni) + 30 gr puter/gjalpë
  • 500 gr rikota (gjizë e ëmbël) e kulluar
  • 250 gr djathë krem
  • 5 vezë
  • 5 lugë sheqer (mund të shtoni edhe pak nëse doni më ëmbël)
  • 3 lugë miell
  • lëvore e gërryer e një limoni organik (ose limeti apo portokalli)
  • 1 lugë e vogël çaji esencë e limonit ose 1 lugë lëng limoni (ose limeti apo portokalli)
  • Salca e boronicës: rreth 500 gr boronica të ngrira, 1/2 gotë sheqer, 2-3 lugë lëng limoni

Përgaditja

  1. Së pari e bëni gati tepsinë e lëshoni furrën në temperaturë 170°C
  2. I bluani biskotat me gajlpën deri sa të filojnë të bëhen së bashku (nëse ka nevojë mund ti shtoni edhe 5-10 gr puter/gjalpë). E leni anash deri sas i bëni gati përbërësit tjerë
  3. Në një enë të thellë e përzieni rikotën, djathin, vezët, sheqerin, miellin, lëvoren e limonit dhe esencën e limonit apo lëngun e limonit. Nëse i përzieni me tel dore i bëni gradualisht së pari djathin me rikotën dhe vazhdoni me vezët dhe sheqerin dhe pastaj me të gjitha tjerat. Masa duhet të jetë e njëtrajtshme
  4. E merrni një tepsi që i largohet rrethi (nëse keni) me diametër 20 – 22 cm. E shpërndani mirë masën e biskotave në mënyrë të njëtratjtshme dhe anash tentoni që të ngritet pak
  5. Tani e qitni ngadalë dhe me kujdes masën e djathit dhe e tundni pak që të nivelohet
  6. E futni në furrë, dhe ia ulni temperaturën furrës në 160 °C. E leni të piqet për 1 orë. Nëse ju duket që mesi është ende shumë i butë (gati i lëngshëm) e leni edhe për 10 minuta
  7. Nëse gjatë pjekjes ju duket që masa e djathit po fryhet shumë shpejtë, e ulni temperaturën edhe për 5-10 gradë, pra nëse furra juaj pjekë shpejtë, lirisht mund ta ulni intensitetin e pjekjes pasi që kjo ëmbëlsirë kërkon zjarrë të ngadaltë
  8. Kur të piqet, mesi duhet të jetë i butë por jo i lëngshëm dhe skajet janë pak të skuqura
  9. E nxjerrni nga furra, e mbuloni me një pecetë apo letër kuzhine dhe e leni të ftohet
  10. Kur të ftohet e largoni rrethin e tepsisë dhe e futni në frigorifer për së paku 2 orë
  11. Deri sa të ftohet ose gjatë pjekjes mund ta bëni salcën: Boronicat e ngrira apo të freskëta i qitni në një enë ku do ti zieni. Ia shtoni sheqerin dhe në temperaturë së pari të lartë i përzieni deri sa të shkrihen dhe të marrin valë. Posa të marrin valë, e ulni temperaturën, ia shtoni limonin dhe i leni të zihen për afro 15 minuta. Nëse nuk doni ti kulloni tentoni të ruani formën e frutave pra mos i shtypni

Servimi

Mund ta servoni vetëm pasi të jetë ftohur mirë me salcën e boronicës apo frutave tjera, ose që i keni bërë më parë si salca e mjedrave me mollë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment