Sa herë që pregatisim pana kota (mazë/krem e zier), ose ëmbëlsira me djathë apo rikota, na duhet salcë e frutave të malit, dredhëzave/luleshtrydheve apo vishnjeve pra, zakonisht përdoren fruta që janë të tharta, në mënyrë që ta freskojnë shijen e djathit apo kremit. Poashtu mund ta përdorim edhe në mëngjes, apo kurdo gjatë ditës, me kos dhe drithëra që i preferoni.
Në mënyrë që të mos përdori sheqer unë kam shtuar dy molla dhe një lugë sirup panje (maple syrup). Nëse doni ju mund të shotni pak sheqer.
Përbërësit (për 1 gavanoz mesatar)
- 500 – 600 gr mjedra të shkriera në temperaturë të dhomës
- 2 molla të vogla të ëmbla
- 1/8 e një limoni të vogël
- 1-2 lugë sirup panje (maple syrup) ose sheqer
Përgaditja
- Së pari ju duhet që të nxjerrni lëngun nga mjedrat. Pasi që të jenë shkrier mirë, i qitni në një kulluese të shpeshtë (sitë) që i ndalë farat. Përfundi e qitni enën në të cilën do të zieni salcën. Me një lugë të madhe i shtypni mjedrat mirë me kujdes dhe durim deri sa që masa të mbetet e thatë dhe të ndahet nga kulluesja/sita
- E fshini mirë përfundi gjithë shkumën që ka mbetë e ngjitur për fundin e kullueses që të përfitoni sa më shumë masë dhe e hudhni pjesën tjetër me fara. Ju duhet të përfitoni rreth një gotë të plotë lëng, pra afro 2.5 dcl
- Tani i qëroni mollat dhe i preni në flegra të holla dhe ia shtoni lëngut të mjedrave
- I qitni mbi zjarrë që të zihen, posa të marrin valë e ulni temeraturën në mesatare dhe i leni të zihen afro 30 minuta duke i përzier herë pas here
- Ia shtoni copën e limonit dhe e përzieni herë pas here që të mos ngjitet në fund, e zieni edhe 15 minuta
- Nëse janë zbutur mollat, e largoni nga zjarri dhe e bluani mirë me mikser të dorës
- I shtoni sirupin e panjës (maple syrup) ose sheqer dhe e ktheni edhe 5 minuta në zjarrë
- E provoni nëse doni të shtoni më shumë sirup (apo sheqer) dhe e zieni edhe pak deri sa të shkrihet
- E qitni menjëherë në një gavanoz apo ndonjë enë tjetër të qelqit. E mbuloni me letër kuzhine deri sa të ftohet dhe pastaj e mbyllni me kapak
Servimi
Posa të ftohet mund ta servoni me desertin që e preferoni si pana kota ose ëmbëlsirë djathi/rikota. Unë e kam servuar me kos dhe fluska të drithit. Mund ta mbani në frigorifer deri në tre muaj, nëse ju zgjatë deri atëherë :-).






Ju bëftë mirë!