Pasi që habanero specat që i kemi mbjellë kanë shumë frut këtë vit, vendosa të pregatisë edhe një salcë, këtë herë më të hollë, me ndikim aziatik. Është salcë e ëmbël, e thartë dhe e njelmët dhe natyrisht shumë e djegës/pikante. Për ëmbëlsi kam përdorë marmellatë të kumbullave mirabelle, por mund të përdoret edhe kompot i pjeshkës apo marmellatë jo shumë e ëmbël, që të mos teprohet me sheqer.
Përbërësit (për 1 gavanoz të mesëm ose shishe)
- rreth 8 habanero speca apo ndonjë lloj tjetër i djegës
- 8 thelpinj hudër të paqëruar
- 150 – 200 gr marmellatë e kumbullës mirabelle ose pjeshkës me pak sheqer
- 2 dcl uthull e mollës së egër apo ndonjë tjetër jo shumë acidike
- 2 lugë melasë ose ndonjë pekmez me ngjyrë të errët
- 1/6 lugë kripë
- 1/4 lugë mesatare fara sinapi të shtypura ose mustardë Dijon
- 1/2 lugë mesatare vaj susami apo tahini me aromë të tymosur (opcionale)
- 1/2 lugë e mesme fara koriandër të shtypura
- 1/2 lugë mesatare piper i kuq (specall)
- 1/2 lugë xhenxhefil i gërryer
- 1/2 lugë e vogël kanellë
- 1/2 lugë e vogël piper i zi
- 1/2 lugë e vogël arrë muskati (mund të shtoni apo ndryshoni ndonjë mëlmesë sipas dëshirës suaj)
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 200°C
- I pastroni specat dhe i thani mirë me letër kuzhine. Së bashku me thelpinjtë e hudrës i qitni në një enë dhe i futni në furrë të piqen për afro 15 – 20 minuta derisa të fillon lëkura e specave të skuqet pak
- E mbyllni temperaturën e furrës dhe i nxjerrni nga furra. I leni të ftohen pak
- Me kujdes i largoni bishtat e specave dhe i largoni edhe farat nëse doni (punoni me dorëza për çdo rast). I qëroni edhe hudrat
- I qitni tani të gjithë përbërësit në një enë ku do ti zieni
- E qitni në zjarrë të lartë deri sa të marrë valë duke e përzier herë pas here. Posa të merr valë e ulni temperaturën në mesatare dhe e leni të zihet për 10 – 15 minuta
- E mbyllni zjarrin dhe e bluani masën me mikser të dorës
- E qitni në një gavanoz apo shishe menjëherë, e mbuloni me letër kuzhine deri sa të ftohet
- Kur të ftohet e mbyllni me kapak dhe e futni në frigorifer
Përdorimi
Këtë lloj të salcës mund ta përdorni kur bëni zgarë, kur bëni krahë apo kofshë të pulës në furrë, me gjoks shote/rose, me mish të derrit të egër apo kaprollit apo edhe me salsiçe/virshle të ndryshme. Poashtu mund të servohet me specialitete aziatike si tempura, spring roll, etj.





Ju bëftë mirë!