Kur ju mërziten recetat tradicionale me mish, kjo recetë do ju freskojë. Është e mirë se ka edhe perime të mjaftueshme dhe ka shije fantastike.

Unë kam përdorë ato që kisha, patate dhe fasule bishtajë. Patatet mund të zëvendësohen me qiqra dhe fasulet mund të zëvendësohen me bizele apo me ndonjë gjethe si spinaqi apo pazija/ceklla (zele).

Për zierje kam përdorë salcën e domates që përshatet më shumë me mishin e kuq se sa tamli/qumështi i kokosit. Si shoqërues si zakonisht kam përdorë oriz basmati/jasmin që me aromën e vet e komplementon shumë kërin.

Përbërësit (për 4 persona)

  • 350 – 400 gr mish viçi (copë e butë)
  • rreth 200 gr patate (6 patate të vogla ose dy mesatare)
  • 200 gr fasule bishtajë të gjelbra (ose bizele të freskëta në bishtajë apo kokërr)
  • 1 qepë mesatare
  • 3 thelpinj hudër
  • 1 copë xhenxhefil
  • 400 ml salcë domatesh (e shpisë nëse keni apo në kanaqe e blerë)
  • 3 lugë vaj ulliri për përzhitje
  • 1 lugë piper i kuq
  • 1,5 lugë këri pluhur
  • pak piper i zi
  • 1 lugë salcë e djegës apo piper i djegës (opcionale)
  • 1//2 lugë kripë

Përgaditja

  1. Së pari i pastroni bishtajat e fasules dhe i preni në copa mesatare. I zieni në ujëë me kripë për 4-5 minuta. i kulloni dhe i leni anash
  2. E grimconi qepën mesatarisht imët, hudrat me xhenxhefilin i grimconi së bashku. Patatet i qëroni dhe i preni në katrorë në madhësi të njejtë të vogla
  3. E preni mishin në rripa të hollë që të zihet më lehtë dhe të bashkëdyzohet më mirë me shijet
  4. Në një enë të thellë, që mund të hyjë në furrë, e qitni vajin dhe e ngrohni. I shtoni qepët dhe në zjarrë të lartë i përzhisni afro 4 minuta, pastaj e shtoni hudrën me xhenxhefil, e përzieni pak dhe menjëherë patatet. I përzhitni derisa vëreni që patatet kanë filluar të bëhen pak të tejdukshme, pra kanë filluar të marrin nxehtësinë dhe kanë filluar të piqen
  5. I shtyeni anash të gjitha dhe e shtoni mishin. E përzhitni pak deri sa fillon të humbë ngjyrën dhe e përzieni me perime. E fërgoni edhe pak dhe i largoni edhe njëherë anash, mishi nuk duhet të piqet më gjatë se 5 minuta. Tani i shtoni të gjitha mëlmesat së bashku me salcën e djegës. I përzhisni pak anash derisa të ndjeni aromën
  6. I përzieni të gjitha së bashku dhe ia shtoni salcën e domates. E shpërlani kanaqen ose gavanozin me pak ujë (1/3 e kanaqes/gavanozit apo sipas nevojës) dhe ia shtoni kërit, e përzieni dhe e leni të merr valë. Tani i shtoni fasulet (apo bizelet e freskëta) duke i fundosur që të mund të zihen
  7. E lëshoni furrën në 200 – 210°C dhe pasi që të ngrohet e futni kërin në furrë. E leni të zihet për afro 30 – 40 minuta. Nëse ju duket që temperatura është shumë e lartë e ulni pak. Këri duhet të shteret pak që të trashet lëngu

Servimi

E servoni me oriz basmati ose me petë, ose edhe vetëm me bukë nëse ju pëlqen. Anash mund të servoni kos. Tepricat, posa që të ftohen, i qitni në enë që mbyllet me kapak dhe i fusni në frigorifer deri në momentin që do ti hani përsëri. Këri në frigorifer qëndron afro 3 ditë. Të njejtën gjë e bëni edhe me tepricat e orizit, orizi nuk guxon të rrijë në temperaturë të dhomës pasi të është ftohur.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment