Pasi që një kohë të gjatë nuk ha hamburgerë jashtë, shpesh pregatis në shtëpi e për këtë gatuaj kuleçë që të bëhet hamburgeri komplet. Shpesh pregatis edhe burgerë vegjetarian që e kanë shijen fantastike, shpresoj që ti postoj së shpejti. Këta kuleçë mund ti përdorni edhe për sendviçë ose edhe ti lyeni me puter/gjalpë dhe ndonjë reçel.

Unë i kam ngjeshur me Kitchen Aid (mikser) por mund të bëhet edhe me dorë shumë lehtë. Gjatë pjekjes mund të futni një enë me ujë që ti bëni më të butë kuleçët ose, nëse i doni më me shumë kore, i pjekni në mënyrë klasike.

Përbërësit (për 8- 9 kuleçë)

  • 3 gota miell (gota 250 ml)
  • 2 lugë puter/gjalpë
  • 1 – 2 lugë sheqer
  • 1 pako maja
  • 1/4 lugë kripë
  • 250 – 280 ml ujë
  • 3 lugë tamël/qumësht
  • 1 vezë
  • 1/2 lugë uthull (për shije autentike, opcionale)
  • + 1 vezë për lyerje (ose pak kos)
  • fara susami për fund (opcionale)

Përgaditja

  1. Së pari e qitni miellin në një enë të thellë dhe i shtoni sheqerin, majanë dhe puterin/gjalpën e ftohtë. E përzieni me mikser ose me duar deri sa të shpërndahet puteri/gjalpi dhe mielli të duket si miell misri. Tani i shtoni kripën, vezën e tundur pak, tamlin/qumështin dhe filloni ta shtoni ujin dalë-nga-dalë duke e përzier me duar apo me mikser (pasi që ta keni ndërruar pjesën për brumë). Mund ti shtoni edhe uthullën nëse e përdorni
  2. I shtoni ujë aq sa brumi bëhet bashkë dhe elastik dhe jo shumë i fortë. Tani e ngjeshni afro 5 minuta me dorë apo rreth 4 minuta nëse përdorni mikser
  3. E mbledhni në top, i cili duhet të jetë elastik, i butë por që nuk ngjitet në duar. E qitni në enën ku do të vie dhe e mbuloni me najllon puthitës, ose me ndonjë kapak që e mbulon në tërësi apo pecetë të njomur me ujë
  4. E leni brumin në një vend të ngrohtë, mundet edhe në temperaturë të dhomës apo e mbani në furrë të pandezur
  5. Brumi duhet të vie për rreth 2 orë
  6. Pasi që ka ardhur brumi, e merrni së pari tepsinë e furrës dhe e qitni një letër për pjekje në të, nuk keni nevojë ta lyeni
  7. E shtypni pak brumin dhe e ndani me dorë në copa të barabarta (8-9 copë) dhe i formësoni në toptha. Unë nuk përdori më miell pasi që brumi nuk ngjitet në duar, pra e marr direkt nga ena dhe i bëj kuleçët, por ju, nëse doni, e qitni në sipërfaqe me miell dhe i bëni kuleçët. Tentoni të mos përdorni shumë miell
  8. I renditni në tepsi larg njëra tjetrës dhe i leni edhe afro 1 orë në furrë të pandezur ose e mbuloni me pecetë kuzhine deri sa të vien edhe pak
  9. Pas 1 ore e lëshoni furrën në 200°C dhe në ndërkohë i shtypni kuleçët që të mos jenë të fryera vetëm në mes dhe i lyeni me vezë apo me pak kos dhe i shtoni farat e susamit
  10. Posa që të nxehet furra i futni në furrë dhe i leni të piqen për 20 minuta ose deri sa të skuqen. Para se të filloni me pjekjen në furrë mund të qitni një enë me pak ujë, në fund të furrës, nëse i doni kuleçët më të butë. Unë i kam pjekë në mënyrë klasike
  11. Kur të skuqen e mbyllni temperaturën dhe i nxjerrni nga furra
  12. I largoni në një enë që e keni mbuluar me pecetë kuzhine dhe i mbuloni që ti mbani të ngrohta deri në momentin që doni të servoni
  13. Nëse ju teprojnë për të nesërmen mund të ngrohni pak para se ti përdorni por mund të përdoren edhe të ftohta

Servimi

Këta janë kuleçë shumë të mirë për burgerë klasik por edhe vegjetarian. Mund ti bëni edhe me këpurdha të mëdha të pjekura në vend të mishit dhe natyrisht të përdorni salcat që i preferoni. Mua më pëlqejnë edhe me puter/gjalpë dhe mjaltë apo ndonjë reçel.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment