Keku me karrota është recetë klasike që ka shumë verzione por baza është mielli, vezët, vaji, sheqeri, karrotat dhe aromatizuesit. Shtojcat janë frutat e thara si rrush i terur, kumbulla, kajsija apo hurma. Poashtu shtohen edhe fruta arrore si arra ose bajame e ndonjëherë edhe arrë kokosi.
Keku mund të piqet në tepsi ose në enë të vogla për mafin. Pasi që të piqet mund ta lyeni me krem djathi me pak sheqer. Unë zakonisht përdori pak sheqer prandaj për të tjerët shpesh e servoj me sirup panje (maple sirup) për ëmbëlsi të shtuar.
Përbërësit (për 10 -12 veta)
- 1 gotë (250 ml) miell
- 1 lugë mesatare sodë bikarboni
- 1/4 lugë çaji kripë
- 1 lugë e çajit kanellë pluhur
- 1 lugë e çajit vanile e bluar ose 1 qese sheqer vanile
- 140 ml vaj
- 100 gr sheqer i kaftë (mund të shtoni + 100 gr nëse doni më shumë ëmbëlsi)
- 2 vezë
- 150 gr karrota të gërryera ose të bluara në mikser me thikë (afro 3 karrota)
- 50 gr arra të grira në copa mesatare
- 35 gr hurma të grira në copa mesatare (ose rrush i thatë)
Përgaditja
- Së pari e bëni gati tepsinë (rreth 22 cm) duke e lyer mirë me puter/gjalpë, poshtë dhe anash, dhe e lëshoni furrën në temperaturë 170°C – 180°C. Nëse nuk e keni tepsinë speciale që i largohet rrethi është mirë që të qitni letër në fund të tepsisë
- Në një enë të thellë e përzieni miellin, sodën bikarbone, kripën, kanellën dhe vanilen pluhur ose sheqer vanilen
- Në një enë tjetër të thellë i tundni pak vezët me sheqer, deri sa të përzihen (nuk ka nevojë të bëhet shkumë e trashë), ia shtoni vajin dhe e përzieni mirë
- Tani ia shtoni këtë masë të lëngët miellit dhe i përzieni deri sa të fillojnë të bashkëdyzohen. I shtoni tani karrotat, e përzieni pak dhe ia shtoni arrat me hurmat (apo rrushin e thatë)
- I përzieni që të bëhet masë e njëtrajtshme, vetëm deri sa bëhen të gjitha së bashku (nuk ka nevojë të rrihet brumi se e humbë shkriftësinë)
- E qitni brumin në tepsi dhe e rrafshoni. E futni në furrë që të piqet rreth 35-45 minuta
- Pasi që të piqet, e largoni nga furra dhe e leni të ftohet pak deri sa të mund ta largoni nga tepsia
Servimi
Mund ta servoni edhe të ngrohtë me pak reçel të thartë, me krem djathë të përzier me pak sheqer (ose mjaltë) apo me sirup panje (maple sirup). Përshtatet shumë mirë me çaj ose me kafe apo me një gotë tamël/qumësht.







Ju bëftë mirë!