Në vazhdim të postimit të kaluar, për të zgjidhur problemin e frutave të tepërta në vjeshtë, vazhdojmë me marmellatë nga rrushi Shesh i Bardhë dhe me molla të ëmbla dhe, më e mira është se nuk ka nevojë të shtohet sheqer prandaj, është tërësisht natyrale.
Tentoni të përdorni fruta që nuk kanë pesticide në mënyrë që të jetë me të vërtetë tërësisht e shëndetshme. Mua më pëlqen të pregatis sasi të vogla pasi kështu bëhet më shpejtë dhe poashtu kemi mundësi të bëjmë më shumë lloje si të salcave poashtu edhe të marmellatave.
Përbërësit (për 1 gavanoz mesatar)
- 1 kg rrush Shesh i Bardhë (ose ndonjë lloj tjetër kokërrvogël, i pjekur mirë)
- 1/2 gotë ujë
- 4 molla mesatare të ëmbla
- 1/6 e një limoni të vogël
Përgaditja
- E pastroni rrushin nga kalaveshi dhe e shpërlani. E kulloni mirë dhe e qitni në një tenxhere të vogël me ujin që të zihet në temperaturë të lartë. Posa të merr valë, e ulni temperaturën në mesatare dhe e leni të mbyllur me kapak që të zihet dhe të zbutet. Herë pas here e kontrolloni që mos të ngjitet në fund. E zieni për afro 30 minuta apo deri sa të ndahen farat nga rrushi dhe vëreni që kokrrat kanë filluar të zbuten tërësisht
- E mbyllni zjarrin dhe i leni të ftohen pak
- E qitni rrushin në një kulluese, me një enë përfundi, që ta ndani lëngun. E shtypni rrushin mirë që ta ndani gjithë lëngun. I hudhni mbetjet. E ktheni lëngun e rrushit në të njejtën tenxhere
- I lani dhe i qëroni mollat dhe i preni në flegra. I qitni së bashku me lëngun e rrushit dhe i ktheni në zjarrë të lartë deri sa të marrin valë. Posa të fillojnë të vlojnë e ulni temperaturën në mesatare, i mbuloni me kapak dhe i leni të zihen për 40 minuta duke e kontrolluar herë pas here
- Tani i shtoni copën e limonit dhe e leni të zihet edhe 15 minuta ose deri sa të trashet. I shtypni mollat me lugë nëse nuk janë shpërbërë. E mbyllni zjarrin, e largoni limonin dhe e qitni marmellatën në gavanoz sa është ende e nxehtë
- E mbuloni me letër kuzhine dhe e leni të ftohet. Kur të ftohet e mbyllni me kapak dhe e futni në frigorifer
Servimi
Është perfekte me bukë të zezë, ose me skonë dhe me puter/gjalpë, me palpetë/krepa, llokuma ose petulla, etj.







Ju bëftë mirë!