Tani, në fund të verës, kemi shumë kumbulla, pjeshka dhe molla dhe shpesh blejmë pak më shumë se që mund ti konsumojmë prandaj më duhet që të gatuaj ndonjë kek në mënyrë që ti konsuojmë frutat para se të prishen. Këtë kek mund ta bëni edhe me fruta të verës, me fruta mali, edhe me fruta dimërore si ftoi.
Kjo është ëmbëlsirë e shpejtë plus që nuk keni nevojë ta prisni që të ftohet. Gatuhet për 50 minuta dhe, pas 5 minutash ftohje, mund ta servoni. Është shumë e përshtatshme kur ju duhet të pregatisni diçka të shpejtë. Preferohet të bëhet me fruta të freskëta.
Pasi gjysma e miellit zëvendësohet me bajame të bluara, keku bëhet edhe më i lehtë për tretje pra, nuk është i rëndë në lukth.
Përbërësit (për 8 – 10 veta)
- 150 gr miell
- 150 gr bajame të bluara
- 1/2 lugë pluhur për pastë
- 1 pako sheqer vanile ose 1/2 lugë esencë të vaniles
- 3 ve të mëdha
- 120 gr sheqer
- 130 gr puter/gjalpë (ose 110 gr vaj – e peshoni)
- 100 ml tamël/qumësht
- fruta (rreth 5 kumbulla, 2 mollë dhe 1 pjeshkë)
- sheqer për spërkatje ose ndonjë reçel i thartë nëse mollët janë të ëmbla (sipas dëshirës)
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 180°C – 190°C (varësisht nga furra)
- E lyeni tepsinë me puter/gjalpë poshtë dhe anash, tepsia me diametër rreth 25 cm ose pak më e ngushtë
- I preni frutat në copa pak më të vogla dhe i leni anash në një enë
- Tani në një enë të thellë e sitni miellin me pluhurin për pastë. Ia shtoni sheqerin me aromë vanileje (nëse e përdorni) dhe ia shtoni edhe bajamet e pluara. I përzieni mirë të bëhen bashkë
- Nëse përdorni puter/gjalpë: në një enë të vogël të thellë e shkrieni puterin/gjalpin në mikrovalë për afro 30-40 sekonda që vetëm të zbutet dhe të fillojë të shkrihet pak. E largoni dhe e përzieni mirë me tel që të jetë masë e njëtrajtshme. Ia shtoni sheqerin dhe e përzieni mirë. Tani i shtoni vezët një nga një, duke i përzier sipas radhës deri sa të bëhet masa e njëtrajtshme. Nëse përdorni esencë të vaniles në vend të sheqerit, ia shtoni tani në këtë përzierje të lëngshme (nëse përdorni vaj, së pari i tundni vezët me sheqerin pastaj i shtoni vajin dhe esencën e vaniles)
- Ia shtoni masën e lëngshme masës së thatë dhe me një lugë apo shpatull e përzieni ngadalë
- Tani ia shtoni tamlin/qumështin gradualisht deri sa masa të bëhet e lagësht por jo e hollë, pra të ketë trashësi por jo e thatë
- E hapni brumin me lugë apo me shpatull në tepsi, e rrafshoni mirë dhe ia shtoni frutat duke i shtypur nga pak që të hyjnë në brumë (unë e kam tepru pak me sasinë e frutave kështuqë nuk duket brumi fare në sipërfaqe, por ashtu më pëlqen)
- Mund ti shtoni pak sheqer përmbi fruta nëse i doni pak të karamelizuara. Unë i kam shtuar pak reçel të thartë të gjanerikeve
- E futni në furrë dhe e pjekni për 30-35 minuta apo deri sa e vëreni se është pjekur mjaft (varet nga furra)
- Pas pjekjes, e nxjerrni nga furra, e leni të pushojë 5 minuta dhe pastaj me kujdes e nxjerrni nga tepsia. Nëse e keni tepsinë speciale që i largohet rrethi e keni më lehtë, përndryshe e preni në dy gjysma pastaj e nxjerrni nga tepsia
Servimi
Mund ta servoni menjëherë, me çaj, kafe apo me një gotë tamël/qumësht. Mund ti shtoni pak sheqer pluhur për ata që kanë dëshirë më shumë ëmbëlsi.








Ju bëftë mirë!