Ky është verzioni im i këtij specialiteti ballkanik që ka verzione të ndryshme varësisht se ku bëhet. Kjo recetë ëshë në mes të musakasë dhe Imam Baildi. Musaka si princip kërkon beshamel e që kjo nuk e ka, derisa Imam Baildi bëhet pa mish e kjo ka mish.
Është drekë tipike fundit të verës me shumë shije. Rezultatet më të mira arrihen nëse të gjithë përbërësit parapërgatiten ndarazi pastaj bashkohen. Nëse keni pregaditë salcën tuaj të domates do të ju duhet për këtë gatim që do ti japë shije shumë të mirë. Nëse jo, mund të përdorni domate të freskët të qëruar, kulluar dhe përzhitur apo edhe salcë të gatshme por duhet të jetë salcë me të vërtetë e kualitetit të mirë.
Përbërësit (për 3 – 4 veta)
- 300 gr mish i bluar viçi ose kingji/qengji (varësisht çka preferoni)
- 2 patëllxhanë mesatarisht të mëdhenjë
- 4 speca të mëdha ose disa të vogla
- 4 lugë salcë e trashë e domates + 2 lugë për fund
- 1 qepë e mesme
- 2-3 thelpinj hudër
- 4 – 5 lugë verë e kuqe
- 1/4 lugë kripë + pak për patëllxhanë
- piper i kuq i ëmbël dhe pak i djegës (sipas dëshirës)
- 1/2 lugë këri pluhur (opcionale)
- 1/2 lugë rigon i thatë
- pak piper i zi
- 2+ 2 lugë vaj ulliri
Përgaditja
- E lëshoni furrën në 220°C
- I pastroni patëllxhanët dhe specat. I preni patëllxhanët në rrathë dhe i hapni në një tepsi që e lyeni me vaj të ullirit. I hudhni pak kripë patëllxhanit dhe ia shtoni edhe specat ashtu si janë
- I futni në furrë që të skuqen
- Tani e grimconi qepën dhe hudrën dhe filloni ti fërgoni në një fërtere ku do të fërgoni edhe mishin. Filloni së pari me qepën deri sa të fillojnë të ndryshojnë pak ngjyrën dhe ia shtoni hudrën, ia shtoni edhe mishin dhe e përzhitni deri sa të humbë ngjyrën mishi. Ia shtoni verën dhe e prëzhitni deri sa të avullohet vera. E ulno zjarrin dhe i shtoni të gjitha mëlmesat së bashku me kripën. I shtoni edhe salcën e domates, e përzieni mirë dhe e ndërpreni temperaturën
- Posa që të skuqen patëllxhanët dhe të pjeken specat e mbyllni furrën (ose e mbani hapur në 180°C) dhe i nxjerrni jashtë. Posa të ftohen specat pak i qëroni dhe iu largoni farat
- Në një enë të qelqit apo të metalit i renditni në fund gjysmën e patëllxhanëve dhe specat. Mbi to e hapni mishin dhe e rrafshoni mirë. I shtoni edhe pjesën tjetër të patëllxhanëve dhe specave dhe e lyeni me dy lugë salcë të domateve që ta ruajë lagështinë dhe mos të thahet në furrë
- E futni në furrë dhe e pjekni për 20-30 minuta
- Kur e nxjerrni nga furra e leni të pushojë 5 minuta para se ta servoni
Servimi
E servoni menjëherë për drekë me bukë, kos anash ose me ndonjë sallatë që ju pëlqen; nëse doni edhe me një gotë verë të kuqe apo nëse preferoni me një gotë birrë.








Ju bëftë mirë!