Salca e kumbullave që mund ta pregatisni shumë lehtë në shpi, i jep shije dhe e ngritë në një nivel tjetër pjekjen e krahëve të pulës apo kaçikave/kofshëve. Është shije e re dhe fantastike. Pregatitet shumë lehtë nëse e keni pregatitë më parë salcën e kumbullës. Salcën mund ta bëni edhe në të njejtën ditë, edhepse do ju marrë pak më shumë kohë i gjithë procesi, ia vlenë nëse e keni ditën e lirë dhe pa obligime tjera, e si bonus do ta keni salcën e kumbullës për herat tjera.. Përshtatet shumë me rosë/shotë por edhe me pulë. Është perfekte për mishrat e kuq të egër si mish i kaprollit, derr i egër dhe ngjajshëm. Mund të përdoret edhe në petëzat e mbushura me perime (spring rolls), karkaleca deti apo me çkado që ju pëlqen juve si shije.

Është recetë me influencë aziatike dhe prandaj nëse doni të impresiononi familjen apo musafirët, lirisht e provoni. E për botën mashkullore me disa birra 🙂 perfekte.

Përbërësit (për 3 veta)

  • 900 gr krahë pule të ndara në pjesë (ose kaçika/kofshë pule por më të vogla)
  • 1 lugë rigon i thatë
  • 1 lugë mesatare kripë
  • 2 lugë lëng limoni
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • për lyerje: 4-5 lugë (apo sipas dëshirës) salcë kumbulle

Përgaditja

  1. I lani mirë krahët e pulës, ose kaçikat/kofshët, dhe i largoni puplat nëse kanë ndonjë të mbetur, i kulloni dhe i thani mirë me letër kuzhine (lani duart mirë me sapun sa herë që punoni me pulë dhe me shpezët tjera)
  2. I qitni në një enë të thellë ku mund ti përzieni mirë me marinimin dhe ia shtoni të gjithë përbërësit përpos salcës së kumbullës
  3. I përzieni mirë. E ndezni furrën në 220°C
  4. Merrni një enë dhe qitni në të një rrjetë metalike që krahët të jenë në gjendje të kullojnë yndyrën e vet përfundi. Mund ta bëni duke marrë rrjetën e furrës dhe e qitni në tepsinë standarde të furrës
  5. I renditni të gjithë krahët në rrjetë duke e mbajtur tepsinë përfundi dhe e futni në furrë
  6. E leni 15 minuta dhe pastaj e ulni temperaturën në 180°C
  7. Pas 15 minutash nëse iu është skuqur sipërfaqja i rrotulloni një-nga-një me mashë, me kujdes që të mos digjeni
  8. Pas 15 minutash nëse e vëreni që ka filluar që të skuqet edhe pjesa tjetër e nxjerrni nga furra dhe e lyeni sipërfaqen e secilës copë të krahëve me salcë të kumbullës. E bëni me një lugë ose brushë të kuzhinës dhe e lyeni aq sa ju pëlqen. Unë i kam lyer vetëm në një anë për shkak se salca ime është shumë e thartë
  9. E ktheni edhe 10 minuta në furrë
  10. Pasi që ju duket që salca është tharë pak, e mbyllni temperaturën dhe i nxjerrni krahët
  11. I renditni në një enë në të cilën do ti servoni
  12. Deri sa të pushojnë krahët, yndyra dhe lëngu që ka mbetë në fund të tepsisë, i ka të gjitha shijet, prandaj ia shtoni një gjysëm gote ujë dhe mbi zjarrë e shkrini dhe i lironi të gjitha copat dhe shijen. Kur arrinë pak të trashet e largoni dhe ia hudhni krahëve përsipër ose e mbani anash që të ngjyni lëngun me bukë

Servimi

E servoni me sallatë dhe pak bukë anash për ata që ju pëlqen të ngjyjnë lëngun, ose mund ta servoni me polentë/kaçamak/harapash, pilaf apo makarona. Nëse ju pëlqen salca e kumbullave mund të servoni pak shtesë anash në një enë të vogël, e ngrohni lehtësisht që të mos ju ftohë krahët apo kaçikat/kofshët.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment