Mishi i lepurit, sidomos ai i egër, është mish pa yndyrë prandaj mund të bëhet i fortë gjatë pregaditjes nëse nuk e zbusim më parë me një proces shumë të thjeshtë si mbajtja në shëllirë (ujë me kripë) me mëlmesa dhe uthull. Ky proces, shumë i thjeshtë, e bën mishin e lepurit thjesht fantastik me plot shije, të lëngshëm dhe që zbutet lehtë gjatë pjekjes. Lepuri i fermës zakonisht është më i butë dhe më lehtë pregaditet por megjithatë ka raste kur mund të thahet dhe të bëhet pa shije, prandaj kjo metodë e bën shumë më të mirë, kështuqë mund ta aplikoni në të dyja rastet.
Metoda e zbutjes së mishit në shëllirë është shumë e përshtatshme edhe për rosa/shota, pata/gusa, pulë, gjeldeti vetëm se në rastin e tyre në vend të uthullës mund të përdoret pak limon për aromë.
Lepuri mund të rrijë në shëllirë të njejtën ditë për 2-3 orë, varësisht nga madhësia e lepurit, zakonisht llogaritet 1 orë për 0.5 kg. Pra, nëse lepuri është 1 kg duhet vetëm 2 orë pritje. Derisa shpezët e mëdha është mirë që të rrijnë gjatë natës.
Përbërësit (për 3-4 persona)
- 1 lepur deri në 1.4 kg
- 5 – 6 gota ujë (varësisht prej enës ku do ta mbani)
- 3 lugë kripë
- 1 lugë e mesme sheqer
- 1 kokë e vogël e hudrës, thelpinjtë e qëruar dhe shtypur
- 1 tubë gjethe borzilok dhe rigon ose majoran të freskët (ose rigon i thatë por i rehidruar) të ndrydhura për të lëshura aromën
- 4 lugë uthull molle ose rrushi të lehtë
Përgaditja
- Së pari me kujdes largoni me dorë të brendshmet e lepurit: mëlqinë, veshket, zemrën dhe mushkëritë. E ndani lepurin duke i prerë këmbët e prapme dhe të përparme duke e përcjellë vijën e lidhjes me kurriz. Pastaj e ndani pjesën e gjoksit nga kurrizi. E ndani pjesën e qafës së bashku me kokën dhe e preni bishtin nga fundi i kurrizit. Nga pjesa e barkut i preni cipat e holla të mishit. Pjesën e gjoksit e shtypni pak me dorë që të bëhet më e rrafshtë
- I vendosni të brendshmet në një enë të vogël me kapak dhe i leni në frigorifer për më vonë, nuk ka nevojë ti shpërlani. Mund ti pjekni menjëherë nëse doni në një zjarrë të shpejtë në fërtere me pak vaj dhe kripë
- Kokën me qafë, bishtin dhe copat e holla të mishit të barkut i ndani në një enë me kapak, i shpërlani dhe i hudhni 1 lugë kripë dhe ujë (këtë ujë e hudhni pastaj kur doni ta përdorni). I mbani në frigorifer deri sa ju duhet jo më larg se një ditë. Këto mund ti përdorni për supë sipas kësaj recete
- Tani pjesët që do ti marinoni në shëllirë i shpërlani mirë dhe i kulloni
- Në një enë që mbyllet hermetikisht me kapak i qitni të gjithë përbërësit dhe i përzieni mirë derisa të shkrihet kripa dhe sheqeri
- I qitni të gjitha copat e mishit dhe i fundosni mirë nën ujë. Nëse vëreni që nuk ka mjaft ujë mund të shtoni nga pak deri sa mbulohet. E mbyllni me kapak dhe e tundni pak që të përzihen edhe njëherë
- E mbani në frigorifer për 2.5 orë
- Kur doni të filloni me pjekjen e lepurit, e nxirrni nga frigoriferi, e largoni lepurin nga shëllira dhe e shpërlani mirë. E derdhni shëllirën
- I thani copat e mishit në letër kuzhine dhe pastaj vazhdoni me recetën tuaj
Çka më tutje
Pasi që të keni tharë mirë mishin në letër të kuzhinës mund ta marinoni me pak vaj dhe lëkurë limoni dhe ndonjë mëlmesë që ju pëlqen që pastaj ta pjekni në zgarë ose në fërtere, apo edhe në furrë. Mund ta bëni edhe me jufka dibre ose në paela.






Ju bëftë mirë!