Bishtajat e fasules, “haricot vert” në frëngjisht, përdoren shumë si shoqëruese të mishit por edhe mund të pregatiten si sallatë në vete. Janë të pasura me vitamin K, vitamin C dhe me minerale. Është ushqim i lehtë dhe shumë i mirë, fantastik në zëvendësimin e patateve si shoqërues të mishrave. Prandaj, mos hezitoni ti bleni sa herë që i gjeni. Mund ti rrisni edhe vetë shumë lehtë, në saksi në ballkon ose në kopsht, dhe ti përdorni gjatë verës.
Është recetë që pregatitet shumë shpejtë dhe shumë e mirë për një darkë të lehtë apo si meze.
Përbërësit (për 3-4 persona)
- 300 gr fasule bishtajë të gjelbra
- 1 litër ujë për përvlim
- 1 lugë mesatare kripë për përvlim
- pak kripë
- pak piper i zi
- 2 lugë uthull balsamik (ose ndonjë uthull tjetër e mirë)
- 2 lugë vaj ulliri i virgjër
- 1 lugë bajame (ose arra apo lajthi) të bluara ose parmezan i grryer
Përgaditja
- I shpërlani bishtajat mirë dhe i preni të dy anët e fundit, nuk ka nevojë ti coptoni
- Një tenxhere të vogël e mbushni me ujë dhe e vloni. I shtoni kripën dhe pastaj i hudhni bishtajat që të zihen. I mbuloni me kapak deri sa të marrin valë dhe pastaj e largoni kapakun
- Kujdesuni që të fundosen në ujë mirë secila bishtajë
- I zieni 5- 6 minuta prej momentit që kanë marrë valë. Posa të zbuten pak dhe e ndryshojnë ngjyrën shumë pak, pra e mbajnë ende ngjyrën e gjelbër, e ndërpreni temperaturën dhe i kulloni mirë. Bishtajat duhet të jenë të ziera por duhet ta ruajnë pak fortësinë që të ndjehet kafshimi
- I qitni në një pjatë ku do ti servoni sa janë ende të nxehta, i shtoni pak kripë nëse ka nevojë (e provoni së pari a kanë kripë), i shtoni piperin e zi, vajin, uthullën dhe bajamet (arrat apo lajthiat) ose parmezanin. I përzieni lehtë dhe i servoni
Servimi
I servoni me mish si bërxolla të viçit apo kingjit/qengjit ose me fileto të viçit apo kingjit/qengjit. Mund ta servoni edhe me pak bukë të thekur si darkë të lehtë.





Ju bëftë mirë!