Nëse keni provuar ndonjë nga recetat e mëparshme për këri, kjo do ju duket më e lehtë dhe e shpejtë pasi që bëhet më shpejtë me mish të bardhë të gjoksit të pulës ose gjeldetit/bibës. Pra, nuk ka nevojë të pritet gjatë deri sa të piqet mishi së pari. Poashtu edhe përbërësit e këtij këri janë të thjeshtë.
Është recetë relativisht e shpejtë dhe me plot shije. Nëse ju tepron mund ta hani edhe të nesërmen dhe shija vetëm sa bëhet më e mirë. Si zakonisht duhet që të grimconi dhe të bëni gati të gjithë përbërësit para se të filloni me pregatitjen e kërit. Poashtu e vëni edhe orizin të zihet para se të filloni me kërin. Nëse bëni petë në vend të orizit, i pjekni gjatë kohës që këri është në furrë, pak para se ta nxjerrni nga furra, apo edhe pasi që e keni nxjerrë nga furra, varësisht sa jeni nën presion të kohës.
Përbërësit (për 4 persona)
- 300 gr mish i bardhë pule apo gjeldeti/bibe
- 200 gr patate (1 patate e madhe apo dy mesatare)
- 2 karrota mesatarisht të mëdha
- 1 qepë mesatare
- 3 thelpinj hudër
- 1 copë xhenxhefil
- 1 tubë spanaq apo gjethe tjera (çfarëdo lakërishte që keni, unë kam përdorë gjethe keli)
- 1 kanaqe (400 ml) tamël/qumësht i trashë kokosi
- 3 lugë vaj ulliri për përzhitje
- 1 lugë piper i kuq
- 1,5 lugë këri pluhur
- pak piper i zi
- 1 lugë salcë e djegës apo piper i djegës (opcionale)
- 1//2 lugë kripë
Përgaditja
- Së pari i pastroni, qëroni dhe grimconi të gjithë përbërësit. Qepa duhet të grihet mesatarisht imët, hudrat me xhenxhefilin i grimconi së bashku imët. Pataten e qëroni dhe e preni në katrorë në madhësi të njejtë, poashtu edhe karrotën në madhësi të ngjajshme me pataten. Gjethet e spanaqit (apo cilatdo gjthe që i prdorni) i pastroni mirë dhe i këpusni bishtat, nuk ka nevojë të grimcohen përpos nëse janë të mëdha
- Mishi i bardhë duhet të jetë i shkrirë mirë nëse ka qenë i ngrirë. E preni në katrorë në madhësi të kafshatave të vogla
- Në një enë të thellë, që mund të hyjë në furrë, e qitni vajin dhe e ngrohni. I shtoni qepët dhe në zjarrë të lartë i përzhisni afro 4 minuta, pastaj e shtoni hudrën me xhenxhefil, e përzieni pak dhe menjëher shtoni karrotat dhe patatet. I përzhitni derisa vëreni që patatet kanë filluar të bëhen pak të tejdukshme, pra kanë filluar të marrin nxehtësinë dhe kanë filluar të piqen
- I shtyeni anash të gjitha dhe e shtoni mishin. E përzhitni pak deri sa fillon të humbë ngjyrën, pra të zbardhet, dhe e përzieni me perime. E fërgoni edhe pak dhe i largoni edhe njëherë anash, mishi nuk duhet të piqet më gjatë se 5 minuta. Tani i shtoni të gjitha mëlmesat së bashku me salcën e djegës. I përzhisni pak anash derisa të ndjeni aromën
- I përzieni të gjitha së bashku dhe ia shtoni tamlin/qumshtin e kokosit të cilin e tundni mirë para se ta hapni. E shpërlani kanaqen me pak ujë (1/3 e kanaqes) dhe ia shtoni kërit, e përzieni dhe e leni të merr valë. Tani i shtoni gjethet e spanaqit (apo çkado që përdorni) duke i fundosur që të zbuten
- E lëshoni furrën në 200 – 210°C dhe pasi që të ngrohet e futni kërin në furrë. E leni të zihet për afro 30 minuta. Nëse ju duket që temperatura është shumë e lartë e ulni pak. Këri duhet të shteret pak që të trashet lëngu
Servimi
E servoni me oriz basmati ose me petë, ose edhe vetëm me bukë nëse ju pëlqen. Këri zakonisht servohet pa ndonjë sallatë anash pasi që ka mjaft perime vetvetiu, sidomos kur bëhet me mish të bardhë, është shumë e lehtë dhe nuk kërkon diçka freskuese. Tepricat, posa që të ftohen, i qitni në enë që mbyllet me kapak dhe i fusni në frigorifer deri në momentin që do ti hani përsëri. Këri në frigorifer qëndron afro 3 ditë. Të njejtën gjë e bëni edhe me tepricat e orizit, orizi nuk guxon të rrijë në temperaturë të dhomës pasi të është ftohur.









Ju bëftë mirë!