Në ditët kur nuk keni shumë dëshirë të hani mish, mund të pregatisni shumë lehtë, nëse keni petë, perime në petë të tipit “fajita” (fahita). Principi është të keni qepë (të freskëta apo të përzhitura), speca (të freskëta apo të përzhitura), këpurdha (në vend të mishit) dhe lloje tjera të perimeve që mund ti shtoni varësisht prej asaj se çka keni në frigorifer. Mund të përdorni edhe fasule, unë këtë herë nuk i përdora pasi kisha humusin si bazë dhe fasulja do të tepronte sasinë e proteinave bimore. Mund të përdorni karrota, kungulleshka apo patëllxhanë. Mund të shtoni edhe tranguj të freskët apo domate gjatë servimit, unë këtë herë domatet i kisha anash në formë të gazpaços.
Posa që ti bëni gati perimet, pra ti keni pastruar dhe prerë, pregatitja bëhet shpejtë. Kur të bëni servimin i leni që secili individualisht ti mbështjellë perimet në petë sipas dëshirës.
Përbërësit (për 3 persona)
- 6 petë të gatshme
- 1 qepë mesatare
- 2 speca të kuqe, portokalle ose çfarëdo që keni (mund ti kombinoni edhe të djegsa)
- 1 patëllxhan mesatar
- 1 pako këpurdha të freskëta
- kripë, piper, rigon apo rozmarin
- 1 lugë uthull balsamik apo uthull molle
- vaj për marinim të patëllxhanit dhe specave dhe për përzhitje
- për servim: djathë të bardhë apo djathë krem, ose humus apo salcë kosi (cilado që ju gjindet apo që preferoni)
- shtesat që mund ti bëni: domate të freskëta të prera, kastravec të coptuar, fasule të ziera kokërr (vetëm nëse nuk përdorni humus)
Përgaditja
- E qëroni dhe preni qepën në gjysëm rrathë
- I pastroni me letër ose brushë këpurdhat (mos i lani) dhe i preni
- I pastroni dhe preni specat
- E pastroni dhe preni në copë të holla patëllxhanin
- E marinoni patëllxhanin dhe specat me pak vaj ulliri, kripë, piper dhe rigon ose rozmarin
- Tani filloni me përzhitjen që duhet të kryhet shpejtë. Nëse nuk doni ti bëni në një fërtere një pas një, mund ti bëni në dy ndarazi. Unë do ju jap renditjen një nga një për një fërtere
- I përzhitni copat e patëllxhanit në një fërtere me shumë pak vaj dhe në temperaturë të lartë, i qitni me radhë dhe i largoni në një pjatë kur të skuqen në të dy anët
- Kur kryhen patëllxhanët i shtoni të gjitha specat në fërtere, i leni të përzhiten dhe i mbuloni me një kapak që të zbuten pak
- I largoni specat në një enë tjetër të vogël dhe tani i shtoni këpurdhat dhe i shtoni pak vaj
- I përzhitni në zjarrë të lartë dhe kur përzhiten, jo më shumë se 5 minuta, i shtoni pak kripë dhe piper dhe i largoni në një enë
- Tani në të njejtën fërtere i qitni qepët dhe i fërgoni në zjarrë të lartë, i shtoni shumë pak vaj nëse ka nevojë. Kur fillojnë të ndryshojnë ngjyrën i shtoni pak kripë dhe pak uthull balsamik apo uthull molle. Posa të avullohet uthulla i largoni qepët
- Në një fërtere tjetër i ngrohni petët një nga një, i shtoni shumë pak vaj nëse ka nevojë, dhe i mbani të mbështjellura apo të mbuluara që të mbajnë ngrohtësinë
- I servoni menjëherë me djathin që preferoni, ose me salcë kosi apo humus
Servimi
I servoni të gjitha perimet në enët e veta dhe me nga një lugë. Është drekë e mirë për familjen e mbledhur rreth tavolinës ku secili ka lirinë të krijoj kombinimin që i pëlqen. Mbani kripën afër apo ndonjë specë të djegës për ata që e preferojnë.






Ju bëftë mirë!