Humus, njejtë sikuar Baba Ganush, është specialitet oriental apo Levantin që përfshinë disa vende arabe së bashku me Izraelin dhe një pjesë të Turqisë. Është poashtu shumë i popullarizuar në Britani të Madhe që shërbehet si meze apo si paragjellë. Është shumë e shijshme dhe shkon shumë me petë apo edhe të lyhet buka me të ose edhe si zëvendësues i majonezës.

Qiqra të ziera mund të gjeni në shumë shitore si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Zakonisht gjinden tek ushqimi i konzervuar apo pjesën e turshive. Edhe tahini gjindet nëpër shumë shitore por mund ta bëni edhe vet sipas kësaj recete. Edhe qiqrat mund t’i zieni vet dhe t’i mbani të ngrira pastaj t’i përdorni kur ju duhen. Shija është natyrisht shumë më e mirë me qiqrat që i keni zier ju dhe me tahinin që e keni bërë vet. Qiqrat zihen njejtë si fasulet, duhet të lihen në ujë gjatë natës dhe pastaj të zihen 1-2 orë.

Përbërësit (për 4-6 persona)

  • 1 kanaçe me qiqra (kanaçe standarde 400 ml me gjithë ujin) ose 250 gr qiqra të ziera
  • 2 lugë tahini
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • 2-3 lugë ujë
  • 2-3 lugë lëng limoni (afro një limon i shtrydhur)
  • 1 thalb i madh hudër
  • kripë sipas shijes
  • piper i zi (apo ndonjë mëlmesë tjetër që e preferoni) sipas shijes

Përgaditja

  1. I kulloni dhe i shpërlani mirë qiqrat me ujë deri sa i largohet lëngu në të cilin kanë qëndruar. I kulloni mirë. Nëse i keni qiqrat tuaja në friz i shkrini dhe i shpërlani me ujë dhe i leni të kullohen
  2. E shtrydhni limonin me kujdes që të mos ketë fara, e qëroni hudrën
  3. Në një mikser me thikë i hidhni së pari qiqrat me hudrën dhe i bluani pak
  4. Ia shtoni tani vajin, limonin, tahinin (e tundni mirë para se ta merrni me lugë pasi tahini e ka zakon të difundon dhe bëhet i dendur në fund të gavanozit). I shtoni edhe kripën me piperin e zi dhe e bluani mirë. Tani i shtoni 2-3 lugë ujë dhe bluani edhe një herë. E provoni për kripë dhe limon dhe nëse ka nevojë të shtohet edhe pak vaj apo ujë deri sa të ketë trashësinë që ju pëlqen
  5. Duhet të jetë e trashë dhe e butë gati si salca e kosit pra, nuk duhet të jetë e thatë

Përdorimi

Humus është meze fantastike e servuar me petë apo me bukë të thekur por mund ta shërbeni edhe në mëngjes me bukë, ullinj dhe djathëra apo me çkado që preferoni. E servoni në enë të vogla me pak vaj ulliri sipër.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment