Tahini është thjeshtë pastë e farave të susamit. Është përbërës i domosdoshëm në specialitete orientale, e ne e njohim nga Tahin Halva. Tahin pasta përdoret në Baba Ganush, në Humus, në salcë të kosit me tahini, etj. Pregatitet shumë lehtë nëse keni një mikser me thika që bluan mirë, i imi nuk është më i miri, por edhe nëse mbetet ndonjë farë e pabluar nuk është problem.

Nëse doni ti jepni aromë i pjekni pak farat e susamit, nëse doni të jetë e bardhë mund ta bëni pa i pjekur farat e susamit. Ju duhet vetëm edhe vaj ulliri, dhe kaq. Nëse keni mikser shumë të mirë me thika të mprehta mund ta bëni edhe pa vaj, por si fillestar provoni me vaj.

Përbërësit (për 1 gavanoz të vogël)

  • 100 gr fara susami
  • 2-3 lugë vaj ulliri

Përgaditja

  1. Në një fërtere metalike i pjekni pak farat e susamit duke u kujdesur që të mos teprohet. I përzieni vazhdimisht deri sa të ndjeni aromën dhe i largoni. Susami digjet shumë shpejtë prandaj i mbani vetëm pak deri sa të djersiten
  2. I leni të ftohen dhe pastaj i qitni të gjitha në mikserin me thika dhe i bluani deri sa të shifni që ka filluar të ngjitet anash mureve. E ndërpreni dhe i shtyni me një shpatull që të bluhen mirë. I bluani edhe pak dhe filloni ti shtoni vajin duke vazhduar bluarjen deri sa të bëhet masa e njëtrajtshme. Nëse ju duket shumë e thatë i shtoni edhe pak vaj
  3. E qitni në një gavanoz apo ndonjë enë që mbyllet mirë me kapak. Nuk keni nevojë ta mbani në frigorifer. Mbajeni në vend të errët. Kështu duhet të qëndron së paku tre muaj

Përdorimi

Tani provoni këto receta që përdorin tahini si Baba Ganush, Humus dhe salcë kosi me tahini.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment