Në Kosovë pregatitet shumë leçeniku apo krelana që është lloj i bukës së shkrifët me miell kollomoqi/misri. Pregatiten edhe verzione të pites me lakra në mes ose kungull që kryesisht është brumi i leçenikut (krelanës) me perime në mes. Me “lakra” nënkuptohen të gjitha perimet gjethore apo gjethet lakrore por edhe lakra kokë. Mua më pëlqen shumë kjo recetë sepse pregatitet shumë më lehtë se pitet e gryta (miell gruri). Në Kosovë bëhet dallimi në mes të brumit me miell misri që quhet “e kollomojt” dhe të grurit që quhet e “grytë” dhe prandaj mund të thuhet “pite e kollomojt apo “bukë e kollomojt” dhe “pite e grytë” apo “bukë e grytë”.

Në këtë recetë kam përdorë lakra të egra (nena) dhe pazia. Ju mund ta bëni vetëm me spinaq apo me pazia/seklla (zele).

Përbërësit (për 4-6 persona)

  • 800 gr nena dhe pazia/seklla ose spinaq. Mund të shtoni sasinë deri në 1 kg lakrishte nëse ju pëlqen
  • 1 qepë mesatare
  • 4 lugë vaj ulliri
  • 1/2 lugë e vogël kripë
  • 2 gota (2.5 dcl) miell misri/kollomoqi
  • 1 gotë miell gruri
  • 1 pluhur për pastë
  • 2 vezë
  • 1 lugë e vogël kripë
  • 1.5 gotë tamël/qumësht
  • 1 gotë kos
  • 1/2 gotë vaj ulliri (ose ndonjë vaj tjetër)

Përgaditja

  1. I pastroni lakrat nga bishtat dhe pastaj i shpërlani mirë në tre ujëra (apo derisa ju duket që janë pastruar mirë)
  2. I kulloni mirë dhe i grini me thikë, nuk ka nevojë që të grihen shumë hollë, dhe i qitni në një enë të thellë
  3. Pastroni dhe grimconi imët qepën dhe e qitni së bashku me lakrat
  4. Tani i shtoni kripën dhe vajin dhe i përzieni mirë. E leni anash deri sa të bëni gati brumin
  5. Tani e lëshoni furrën në 220°C
  6. Në një enë të thellë e hidhni miellin e misrit, miellin e grytë, i shtoni pluhurin për pastë dhe e përzieni me tel për rrahje
  7. Në një pjatë të thellë i rrahni pak vezët me kripë. Ia shtoni kosin dhe vajin dhe i tundni mirë deri sa të bashkëdyzohen, tani i shtoni tamlin/qumshtin dhe i përzieni mirë
  8. Ia shtoni këtë përzierje miellit dhe e përzieni mirë deri sa të bëhet masë e njëtrajtshme. Nëse ju duket shumë i trashë i shtoni edhe pak kos ose tamël/qumësht
  9. Tani, deri sa të pushojë pak brumi, e lyeni tepsinë (pak më të vogël se tepsia standarde e furrës) ku do ta piqni
  10. Do të vëreni që brumi pak trashet pasi që të pushojë. Brumi është pak më i trashë se brumi i krepave/palpetave, gati si i flisë. Tani e qitni gjysmën e brumit në tepsi dhe e hapni që të mbulojë fundin në të gjitha anët. Mbi këtë e shpërndani me duar masën e lakrave duke e rrafshuar dhe duke e hapur njëtrajtshëm
  11. Brumit që ka mbetur i shtoni 2 lugë tamël/qumësht që të hollohet pak dhe të shpërndahet më lehtë
  12. Përzieni mirë dhe ia shtoni njëtrajtshëm lakrave deri sa të mbulohen. Nëse ndonjë lakër ka mbetë e pambuluar merrni një lugë dhe i shtyni brenda
  13. E futni në furrë që të piqet për 40 – 45 minuta
  14. Pasi që të piqet e mbuloni me një leckë apo me letër kuzhine dhe e leni të pushojë 10-15 minuta. E preni në katrorë me thikë dhe e nxerrni me kujdes në enën ku do ta servoni

Servimi

E servoni me kos apo kos të trozuar (ajran) për drekë. Copat që teprojnë, pasi që të ftohen, mund ti mbani në frigorifer deri në 3 ditë. Të nesërmen, me çaj për mëngjes është fantastike.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment