Kur mbesin banane dhe nuk ju tërheqin ti hani, është ide e mirë ti përdorni në gatim. Mund të bëni akullore, nëse nuk pritoni të prisni gjysëm dite deri sa të ngrihen bananet, apo të bëni kek, që është si lloj buke, që mund ta hani për mëngjez me çaj apo edhe në formë të mafin që poashtu mund ta servoni me çaj apo me kafe në çfarëdo kohe që dëshironi.
Mund ta gatuani me vaj por unë këtë herë kisha puter/gjalpë të mirë, organik nga Conad, dhe prandaj vendosa ta përdorë puterin/gjalpin që e bëri shumë të shkrifët dhe të shijshme.
Pasi në banesë në Tiranë, ku po gatuaj sot, nuk e kam kompletu kuzhinën, më mungojnë shumë enë e sidomos tepsitë, nuk e kam enën ideale për pjekje siç do ta shifni në foto, prandaj ju përdorni enë drejtkëndësh të përshtatshme për bukë, apo të vogël të rrumbullakët, ose në kallëpe për mafin.
Përbërësit
- 110 gr puter/gjalp në temperaturë të dhomës
- 1 – 2 lugë sheqer
- 3 vezë mesatare (në temperaturë të dhomës)
- 2 gota miell (gota 2.5 dcl)
- 1 pako pluhur për pastë
- 1/2 lugë e vogël çaji sodë bikarboni
- 1/4 lugë e vogël çaji kripë
- 1 vanile sheqer (apo fara të një vaniles ose 1 lugë esencë vanileje)
- 3 banane të pjekura mirë
- 1 lugë kos
- 4-6 lugë reçel/marmelatë e portokallit (limonit ose kajsisë) – opcionale
Përgaditja
- Së pari e lëshoni furrën në temperaturë 170°C – 180°C
- E bëni gati enën ku do ta pjekni duke e lyer me puter/gjalp ose vaj
- Në një enë të thellë e tundni puterin/gjalpin me tel rrahës së bashku me sheqerin deri sa të zbutet mirë (mund të shtoni më shumë sheqer nëse preferoni të jetë më e ëmbël, por për mua mjafton pasi bananet dhe reçeli i japin mjaft ëmbëlsi)
- I shtoni vezët një nga një duke i përzier me radhë derisa të bashkëdyzohen (vezët nuk duhet të jenë të ftohta)
- Ia shtoni aromën e vaniles, e përzieni
- Në një enë tjetër i shtypni bananet dhe ia shtoni kosin, i përzieni
- Ia shtoni bananet puterit me vezë dhe i përzieni
- Tani, në një enë e hudhni miellin me pluhur për pastë, sodë bikarboni dhe kripën dhe e përzieni me tel rrahës
- Ia shtoni përzierjen e miellit masës së lagësht dhe i përzieni me kujdes, jo ta rrahni, derisa mielli pëzihet me përbërësit. Brumi do të jetë i trashë dhe i ngjitshëm
- Tani nëse doni mund ti shtoni reçelin ose marmelatën që përdorni dhe e përzieni lehtë me një bisht luge apo maje të thikës në brum ose mund ta leni që ta shtoni në fund para se ta pjekni
- Tani, nëse bëni mafin, me dy lugë e qitni brumin në kallëpet e mafineve dhe pastaj nëse doni i shtoni reçelin nëse nuk e keni përzi në fillim
- Nëse e pjekni në tepsi, e hapni brumin mirë me lugë dhe ia shtoni reçelin/marmelatën
- E futni në furrë dhe e pjekni 20-25 minuta për mafinët dhe për tepsi 40-45 minuta
- Pasi që të piqen i leni të ftohen pak dhe mund ti servoni menjëherë
Servimi
Mund ta servoni menjëherë, pasi që të jetë ftohur pak, me çaj ose me kafe ose si mëngjez me pak tamël//qumësht.








Ju bëftë mirë!