Në Kosovë, gjatë verës, pregatiten shumë specat me gjizë, zakonisht në qytete, derisa në katunde pregatiten speca me mazë, sidomos me mazë të freskët. Kur pregatiten me mazë nuk i shtohet diçka tjetër, mund ti shtohet një lugë miell, që të trashet, nëse maza është e hollë, por nëse maza ka qenë e kulluar mirë nga tamli/qumshti, atëherë nuk ka nevojë të shtohet asgjë tjetër.

Verzionet me gjizë mund të jenë me vezë apo me pak miell të përzhitur. Disa i shtojnë edhe hudër, edhe unë, por mund të bëhet edhe pa hudër, varet nga shija.

Përbërësit (për 2 persona)

  • 6 – 7 speca të gjata
  • 200 – 250 gr gjizë të freskët apo rikota
  • 2 vezë
  • 1 thalb hudër
  • 3 lugë vaj ulliri
  • pak kripë

Përgaditja

  1. I pastroni specat dhe i thani me letër kuzhine. Nëse doni mund ti pjekni dhe t’ua hiqni lëkurën, por unë këtë herë e kapërceva këtë hap
  2. Në një fërtere të thellë e hudhni vajin dhe e nxeni pak, i qitni specat që të përzhiten në temperaturë mesatare. Nëse janë te papjekura dhe të paqëruara, i mbuloni me kapak që mos të kërcejë vaji. Herë pas here i rrotulloni me kujdes që të fërgohen nga të gjitha anët
  3. Deri sa të fërgohen specat, e grimconi hudrën
  4. Në një enë të thellë e qitni gjizën, vezët, hudrën dhe pak kripë. I përzieni mirë me tel rrahës apo me pirun
  5. Kur të jenë përzhitur specat mirë, i largoni në një anë apo në një enë tjetër nëse doni. I shtoni pak kripë specave. Tani e shtoni gjizën në fërtere dhe e përzhitni në temperaturë mesatare deri sa të mpikset (3 – 5 minuta). I ktheni specat së bashku me gjizën. E provoni a ka kripë mjaft dhe i shtoni edhe pak nëse duhet

Servimi

E servoni me bukë, nëse doni domate anash apo sallatë. Zakonisht servohet për mëngjes por, lirisht mund të servohet edhe si drekë e lehtë apo darkë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment