Bamjet verës rriten shumë në vendet bregdetare, por gjinden edhe në tregjet e Kosovës, sidomos në Prizren pasi që perdoret për tavën e Prizrenit që bëhet me mish të viçit, patëllxhan, speca dhe domate. Bamjet kanë lëng viskoz dhe janë të mira për trashjen e gjellave. Në Karaibe përdoren për pregaditjen e Gumbos, në Indi përdoren në këri, mund ti përdorni edhe në Tai fërgesa.

Kjo është recetë e shpejtë verore dhe shumë e shijshme.

Përbërësit (për 4 persona)

  • 300 gr mish i bluar i viçit apo i përzier me të kingjit/qengjit
  • 300 gr bamje (nëse nuk keni të freskëta mund ti përdorni edhe të ngrira, vetëm i shkrini temperaturë të dhomës)
  • 1 qepë
  • 2 thelpinj hudër
  • 2-3 lugë vaj ulliri
  • 1 lugë piper i kuq
  • 1 lugë këri pluhur (opcionale)
  • pak arrë muskati (opcionale)
  • pak kripë dhe piper
  • 200 ml lëng i trashë i domates apo dy domate mesatare të qëruara
  • 1 tubë magdanoz

Përgaditja

  1. I pastroni bamjet dhe i preni bishtin. Ato që janë të mëdha i përgjysmoni që të mund të zihen njëtrajtësisht
  2. E qëroni qepën dhe e grimconi
  3. I qëroni hudrat dhe i grimconi
  4. E pastroni dhe grimconi specin e djegës (nëse e përdorni), ia largoni farat së pari nëse nuk doni të jetë shumë e djegës. I qëroni domatet dhe i grimconi ( nëse nuk keni lëng të trashë të domates)
  5. Në një tenxhere, apo fërtere të thellë që ka kapak, e qitni vajin dhe i shtoni qepët. I përzhitni qepët në zjarrë, mesatarisht të lartë, deri sa qepët të bëhen të tejdukshme
  6. I shtoni specin e djegës dhe hudrën dhe e perzhitni afro 3 minuta. Tani shtoni mishin e bluar
  7. E përzhitni në temperaturë pak më të lartë duke e përzier derisa të shterret mirë lëngu i mishit. Tani e shtoni kripën, piperin e zi, piperin e kuq, kërin dhe arrën e muskatit (nëse i përdorni)
  8. I përzieni derisa të fillojë të ndjehet aroma dhe i shtoni bamjet. I përzieni dhe shtoni lëngun e domates apo domatet e freskëta të copëtuara. I shtoni gjysëm gote ujë. E mbuloni me kapak dhe posa të marrë valë e ulni temperaturën në minimum
  9. E zieni 30 minuta (duke e kontrolluar herë pas here) apo deri sa të zbuten mirë bamijat
  10. E pastroni dhe grimconi magdanozin dhe ia shtoni para se ta servoni

Servimi

E servoni me bukë dhe sallatë apo edhe me pak kos.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment