Kjo është recetë Austriake/Gjermane me origjinë, sipas të gjitha gjasave, nga komuniteti Ashkenazi Jahud. Është ëmbëlsirë e lehtë dhe e shpejtë për tu përgatitur dhe shumë e shijshme.
Farat e lulekuqes duhet të bluhen pak me një mulli të kafes me rrymë, të kenë konsistencë si të dheut, por mos të bluhen për së tepërmi sepse mund të ngjitet dhe ëmbëlsira nuk bëhet e shkriftë. Mund ta bëni edhe pa i bluar farat e lulekuqes nëse ju pëlqen konsistenca kërcitëse kur e hani.
Përbërësit
- 250 gr fara të lulekuqes (poppy seeds )
- 140 gr puter/gjalpë në temperaturë të dhomës (i zbutur që të tundet më lehtë)
- 5 vezë
- 100 gr sheqer (unë kam përdorë të kaftë, mund të shtoni më shumë nëse ju pëlqen)
- 2 lugë të vogla esencë vanileje, apo 1 qese sheqer vanile ose farat e bishtajës së një vanileje
- 120 ml kos ose jogurt i trashë
- pak kripë
Përgaditja
- Së pari i bluani pak farat e lulekuqes, pjesë-pjesë në mulli, por mundohuni që të ruajnë shkriftësinë. Nëse e teproni me bluarje do të qullosen dhe ngjiten dhe do ta keni vështirë që ta përzieni si duhet
- E bëni gati tepsinë ku do ta piqni duke e lyer me puter/gjalpë apo vaj. E lëshoni furrën në temperaturë 170°C ose 180°C (varësisht prej furrës tuaj)
- I ndani vezët dhe të bardhën e qitni në një enë të thellë ku do i tundni me mikser dhe ia shtoni pak kripë. I tundni mirë deri sa të bëhet shkumë e qëndrueshme që nuk bie nëse e rrotulloni
- Në një enë të thellë e tundni puterin/gjalpin me sheqer deri sa të zbutet. Tani i shtoni të kuqen e vesë njëra pas tjetrës duke i përzier. Sapo që të përzihet njëra e shtoni tjetrën dhe e përzieni derisa bëhet masa e njëtrajtshme
- I shtoni vanilen dhe farat e bluara të lulekuqes, i përzieni mirë
- Tani i shtoni kosin dhe e përzieni prapë
- Ia shtoni pak nga e bardha e vesë dhe e përzieni ngadalë me kujdes. I shtoni edhe pjesën tjetër dhe e përzieni por kurrsesi mos e tundni, vetëm e mbështillni ngadalë me kujdes që të shpërndahet mirë e bardha e vesë dhe të njëtrajtësohet
- E qitni në tepsinë e lyer me puter/gjalpë dhe e piqni për 40 minuta në temperaturë të furrës 170°C ose 180°C
Servimi
Mund ta servoni menjëherë pasi që të jetë ftohur pak por kur të ftohet do jetë më e shijshme. Mund të shtoni anash ndonjë reçel frutash, nëse preferoni, apo pak kremë.






Ju bëftë mirë!