Cobbler (kalldrëm) është ëmbëlsirë angleze me shumë fruta dhe ka pamjen e kalldrëmit prandaj edhe e ka marrë emrin e tillë. Për më shumë lexoni në Kalldrëm me fruta mali . Kjo recetë është e njejtë përpos frutave që janë tjera. Këtë herë unë kisha molla, dardha, pjeshka dhe fiq të freskët që ishin gati të prishen prandaj zgjidhja më e mirë për ti përdorë të gjitha ishte në këtë ëmbëlsirë. Shija e fiqit të pjekur për shumë mund të jetë e çuditshme prandaj edhe mund të mos e përdorni.
Përbërësit
- Afro 1kg molla, dardha, pjeshka dhe fiq (mund ti bëni edhe vetëm me molla apo vetëm me pjeshka, varësisht se çfarë fruta keni)
- 3 lugë sheqer (apo sipas dëshirës)
- 2-3 lugë lëng limoni
- 1 lugë e vogël kanellë
- 110 gr puter (gjalpë)
- 220 gr miell
- 1/2 qese pluhur për ëmbëlsira
- 70 gr sheqer
- pak kripë
- 120 ml jogurt
Përgaditja
- Së pari i pastroni dhe i coptoni të gjitha frutat që i përdorni. Unë nuk i qëroj por nëse ju duket që kanë lëkurë të fortë mund ti qëroni. I qitni të gjitha në tepsi ku do të bëni ëmbëlsirën, mollat dhe dardhat i bëni me lëngun e limonit deri sa ti kryeni edhe frutat tjera. Ia hudhni sheqerin dhe i futni në furrë në 200°C deri sa të fillojnë të zbuten dhe të fillojnë të lëshojnë lëngun, afro 40 minuta. Herë pas here i përzieni që të jenë të njëtrajtshme në zierje
- Në momentin që ju duket se frutat janë gati, pra që janë zbutë dhe kanë filluar të lëshojnë lëngun, filloni të bëni brumin
- Sitni miellin me pluhurin për ëmbëlsira në një enë të thellë, i shtoni sheqerin dhe pak kripë. I përzieni mirë dhe ia qitni puterin/gjalpin e ftohtë të coptuar në katrorka të vogla. Me duar e shtypni puterin dhe e përzieni me miell deri sa të duket si miell misri, pra kur puteri/gjalpi bashkëdyzohet në miell
- Tani merrni një pirun dhe duke përzier i shtoni jogurtin dhe e përzieni vetëm deri sa të fillon brumi të bashkohet. Mos e punoni shumë brumin që të mos aktivizohet gluteni, pasi që duhet që brumi të jetë shkriftë
- Tani e nxerrni tepsinë nga furra dhe e caktoni temperaturën e furrës në 180°C
- Merrni brumin me duar dhe e hudhni copa-copa drejt në fruta deri sa të shpërndahet brumi në tërë sipërfaqen e frutave, mos u frigoni nëse brumi është i ngjitshëm pasi që nuk është problem
- Pasi që ta harxhoni krejt brumin e ktheni tepsinë në furrë dhe e leni të piqet 30 minuta apo deri sa vërehet që brumi është skuqur në sipërfaqe
Servimi
Mund ta servoni menjëherë pasi që të jetë ftohur pak. Nëse frutat që i keni përdorë janë shumë të tharta mund ti shtoni pak sheqer pluhur apo mund ta servoni me akullore. Ëmbëlsira nuk është tipike dhe kur e servoni duhet ta merrni me një lugë të madhe duke u kujdesur që të merren edhe frutat me lëngun e tyre.






Ju bëftë mirë!