Kjo është supë e përkryer për ditët e verës, mund ta pini edhe në vend të lëngut nëse ju pëlqen. Receta origjinale e gazpachos në realitet është me bukë bajate e zbutur në ujë, me vaj ulliri, hudër dhe uthull. Më vonë me sjelljen e domateve nga Amerika kanë filluar të përdoren domatet. Në recetë mund të përdorni bukë ose edhe pa bukë, si të ju pëlqejë. Për këtë ju nevojitet mikser ose aparat i lëngut. Unë zakonisht nuk përdori bukë në gazpaçot që i bëj.

Domatet duhet të jenë të pjekura mirë që të kenë shijen e fortë.

Përbërësit (për 3-4 persona)

  • 1 kg domate
  • 1 kastravec/trangull i vogël
  • 1 specë e kuqe ose edhe e gjelbër
  • 1 tubë gjethe borziloku
  • 1 qepë e vogël e ëmbël
  • 1 thalb i madh i hudrës
  • 2 lugë uthull të mirë
  • 4 lugë vaj ulliri
  • kripë dhe piper të zi sipas shijes

Përgaditja

  1. I pastroni domatet, kastravecin, specin dhe gjethet e borzilokut. Qëroni qepën dhe hudrën. I largoni farat e kastravecit/trangullit
  2. Nëse keni aparat për nxjerrjen e lëngut i qitni të gjitha perimet një-nga-një. Nëse keni mikser me thikë, duhet që ti qëroni domatet, kastravecin dhe ti bluani të gjitha së bashku deri sa të bluhen mirë. Nëse nuk ju pëlqen konsistenca mund ta kulloni mirë në sitë metalike
  3. E qitni lëngun që e keni përfituar në një enë apo bokall ku mund ti përzieni dhe i shtoni kripën, piperin, vajin dhe uthullën. I përzieni mirë
  4. E provoni njëherë nëse duhet të shtohet kripë, uthull apo vaj. Nëse jeni të kënaqur me shijen, e mbuloni dhe e futni në frigorifer të ftohet mirë për afro 2 orë (së paku një orë)

Servimi

E servoni, pasi që të ftohet mirë, në gota apo pjata të thella me pak piper apo magdanoz, copa të bukës të rreshkura, apo sido që ju pëlqen juve. Është shumë e mirë si pjatë e parë për të filluar drekën.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment