Tava e kosit është specialitet i qytetit të Elbasanit por që pregatitet edhe në Kosovë. Në Elbasan bëhet me mish kingji/qengji, në Kosovë bëhet edhe me mish viçi. Unë e pregatis edhe me mish edhi/keci por edhe me pulë apo gjel fshati.

Për këtë recetë tentoni të gjeni pulë apo gjel nga fshati por nuk ka problem edhe me pula të fermës. Mund të bëhet edhe me mish të bardhë por shija nuk është e njejtë. Çfarëdo mishi që përdorni, duke përfshirë edhe peshqit, është më mirë të përdoret së bashku me asht/hala për shkak të vlerave të larta ushqimore. Kur i pregatisim së bashku me ashtin, apo halat, marrim kolagjenin që është i domosdoshëm për shëndetin e nyjeve, të lëkurës dhe për preventim të osteoporozës.

Përbërësit (për 4-5 persona)

  • 1 gjel apo pulë e fshatit
  • 2 lugë piper i kuq (specall)
  • pak piper i kuq i djegës (opcionale)
  • 1 lugë këri pluhur (opcionale)
  • 1 lugë e vogël piper i zi
  • 1 lugë mesatare kripë (varësisht nga madhësia e gjelit/pulës)
  • 2-3 lugë vaj ulliri (varësisht sa ka yndyrë gjeli/pula)
  • 6 ve
  • 600 ml kos
  • 2 lugë miell
  • 3 – 4 lugë vaj
  • 1 lugë e vogël arrë muskati (opcionale)
  • 1 lugë e vogël pluhur hudre ose 1 thalb i hudrës i grimcuar

Përgaditja

  1. Së pari e pastroni mirë gjelin/pulën dhe e ndani në pjesë apo copa
  2. E lëshoni furrën në 220°C
  3. Në një enë të dheut (apo të qelqit ose çfarëdo që preferoni pak më të thellë dhe me kapak, qitni pak vaj dhe i renditni copat e gjelit/pulës
  4. I shtoni gjelit të gjitha mëlmesat dhe vajin nëse është mishi pa yndyrë
  5. E mbuloni me kapak dhe e fusni në furrë. Pas 15 minutash e ulni temperaturën në 170°C dhe e leni të piqet për 60 – 90 minuta, varësisht prej vjetërsisë së mishit, nëse është zog nuk i duhet më shumë se 60 minuta. 20 minuta para përfundimit të pjekjes e hiqni kapakun dhe e leni që të rreshket/skuqet pak mishi dhe të avullojë pak lëngu që e ka lëshuar gjeli/pula
  6. Duke pritur që gjeli/pula të piqet, në një fërtere të thellë e qitni vajin dhe i shtoni miellin dhe e skuqni në temperaturë mesatare deri sa mielli të fillojë të ndërrojë ngjyrën pak, por jo të bëhet i kaftë. E ndërpreni zjarrin dhe e largoni fërteren që të fillojë të ftohet
  7. Në një enë të thellë i theni vezët, i shtoni kripën, hudrën dhe arrën e muskatit (nëse e përdorni). I tundni pak deri sa të përzihen mirë dhe ia shtoni kosin. I përzieni edhe pak dhe filloni ti shtoni miellin e përzhitur gradualisht që të mos pjeken vezët. I përzieni mirë
  8. E nxerrni gjelin/pulën nga furra dhe ia shtoni përzierjen e kosit me vezë. Nëse ka mbetë ende lëng në fund të gjelit/pulës nuk ka problem pasi që do të shteret
  9. E ktheni tavën në furrë, pa kapak, e ngritni pak temperaturën, deri në 200°C, dhe e leni edhe 20-30 minuta ose deri sa e vëreni që është pjekur masa e vezëve me kosin
  10. E mbyllni temperaturën dhe e leni edhe pak në furrë që të mpikset edhe pak
  11. E nxerrni nga furra dhe e leni të pushojë për afro 5-10 minuta

Servimi

E servoni menjëherë me sallatë sezonale ose turshi të mirë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment