Kjo është sallatë e përkryer për ditët e verës dhe sidomos për mëngjes me pak bukë të misrit. Pasi që është me avokado është kremoze, ushqyese dhe njëkohësisht shumë freskuese.
Kohlrabi është bimë e familjes së lakrës që krijon një trup sikur rrepa mbi dhé, edhe në Gjermanisht, kur përkthehet, është kohl – lakër dhe rabi – rrepë. Ka shijen e koçanit (zemrës) së lakrës ose të bishtit të brokolit. Prandaj, nëse nuk keni kohlrabi, mund ta zëvendësoni me koçanin e lakrës apo të brokolit. E nëse nuk i keni asnjërën prej tyre, atëherë thjeshtë mund të përdorni kastravec/trangull.
Shija e kohlrabit të kujton lakrën por është shumë më e ëmbël dhe ka përmbajtje të lartë të vitaminit C. Me 100 gr të kohlrabi i plotësoni 70% të nevojave ditore të vitaminës C.
Përbërësit (për 2-3 persona)
- 1 kokë kohlarbi (lakër-rrepë). Nëse nuk keni, përdorni koçanin/zemrën e lakrës ose të brokolit apo thjeshtë një kastravec/trangull
- 1 avokado mesatarisht e zbutur
- 2 domate
- 1 qepë e vogël e kuqe
- 1/2 limoni, lëngu
- 2 lugë vaj ulliri
- kripë sipas shijes
Përgaditja
- I pastroni domatet dhe kohlrabin
- Merrni një enë të thellë ku do ta përzieni sallatën
- E qëroni qepën dhe e preni në segmente të holla, e qitni në enë
- I preni domatet në feta të holla dhe i qitni në enë
- E qëroni me thikë të patates kohlrabin, e ndani në katër pjesë dhe i preni fetat e holla, i qitni në enën e sallatës
- Tani e ndani avokadon mes-për-mes dhe i largoni farën. Ia hiqni lëkurën dhe e preni në feta, e qitni në enën e sallatës. Menjëherë ia shtoni lëngun e limonit që të mos nxihet avokado
- I shtoni kripën dhe vajin e ullirit dhe e përzieni me kujdes që të mos shpërbëhet avokado në tërësi
Servimi
E servoni menjëherë, ose pasi që ta keni ftohur pak në frigorifer, me copa të bukës së misrit apo me bukë të zezë ose me çkado që preferoni. Mund ta servoni për mëngjes, si kryesore ose edhe si shoqëruese të ndonjë mishi, apo si pjatë të parë për drekë apo darkë.




Ju bëftë mirë!