Biskotat me xhenxhefil janë tipike për Britaninë e Madhe, me të gjitha ish kolonitë e saj, dhe në vendet Skandinave. Biskotat me xhenxhefil janë të ngjashme me sheqerparet vetëm se këto nuk kanë sherbet por përdoren si shoqëruese të çajit apo hahen me tamël/qumsht.

Ka disa lloje recetash, disa përdorin xhenxhefil të freskët, disa të sheqerosur apo nga reçeli. Disa bëhen me vezë e disa pa vezë. Unë nuk kisha vezë prandaj e bëra pa to dhe kisha xhenxhefil të sheqerosur (EnerBio nga Rossmann) prandaj e bëra me të. Puterin/gjalpën e dhisë e kam blerë në Memaliaj, Shqipëri tek shitorja e djathit dhe është fantastik. Nëse kaloni andejpari gjithsesi ndaloni dhe merrni puter/gjalpë. Natyrisht mund të përdorni edhe puter/gjalpë të lopës por kurrsesi margarinë.

Këto biskota bëhen lehtë, kërkon pak më shumë kohë pasiqë duhet të presim, së paku 30 minuta deri në një orë, deri sa shtërngohet brumi në frigorifer në mënyrë që të jemi në gjendje ti japim formë.

Përbërësit (për rreth 25 biskota)

  • 310 gr miell
  • 80 gr sheqer (e shtoni sasinë e sheqerit nëse përdorni xhenxhefil të freskët)
  • 225 gr puter/gjalpë dhie (apo të lopës) tërësisht i ftohtë
  • 100 gr xhenxhefil të sheqerosur (apo dy lugë të mëdha xhenxhefil i freskët i gërryer)
  • 1 lugë esencë vanileje ose ndonjë aromë tjetër që preferoni
  • pak kripë për kontrast të shijes

Përgaditja

  1. E grimconi mirë xhenxhefilin e sheqerosur ose e gërryeni të freskëtin dhe e leni anash
  2. Në një enë të thellë e qitni miellin, sheqerin, kripën dhe i përzieni mirë me tel rrahës
  3. E preni gjalpin e ftohtë me thikë në copa të vogla dhe e qitni në miell
  4. Me dy duart e merrni miellin së bashku me puterin/gjalpin dhe e përzieni duke e shtypur me gishta deri sa të bëhet mielli si kokrra. I shtoni esencën e vaniles dhe e shtoni xhenxhefilin
  5. E mbledhni brumin me dorë dhe e bëni në formë të rrumbullakët
  6. E merrni një najllon puthitës dhe duke i dhënë formë të zgjatur e mbështjellni me najllon. E rrotulloni ngadalë së bashku me najllon që ta holloni njëtrajtësisht. Kjo ju ndihmon që, pasi që të ftohet mirë brumi, të mund ta preni lehtësisht me thikë në biskota të rrumbullakëta
  7. Brumi mund të duket shumë i butë por do të shtërngohet në frigorifer. Kur jeni të kënaqur me formën e mledhni najllonin në të dy anët dhe e futni brumin në frigorifer
  8. E kontrolloni pas 30 minutash dhe nëse ju duket ende i butë e leni edhe për një kohë
  9. E lëshoni furrën në 170°C – 180 °C dhe e bëni gati një tepsi të madhe të rrafshët duke e mbuluar me letër për pjekje, nuk ka nevojë ta lyeni me vaj
  10. E nxjerrni brumin nga frigoriferi, e largoni najllonin dhe me një thikë të mprehtë i preni biskotat në trashësi prej gjysëm gishti. Nëse brumi është ftohur mirë do të prehen pa problem
  11. I renditni në tepsi dhe i futni në furrë, i pjekni 20 minuta
  12. I largoni nga furra dhe i leni të pushojnë pa i prekur deri sa të ftohen
  13. Kur të ftohen i largoni nga tepsia dhe i qitni në një enë që mund ta mbuloni

Servimi

I shërbeni me çaj apo me tamël/qumësht.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment