Kaperi janë lule që rriten të egra në bregdetin Shqiptar sidomos në jug pasi që kërkojnë bregdet shkëmbor. Janë lule shumë të bukura që varen në shkëmbinjë apo mure të gurit dhe i japin bukuri bregdetit. Është e familjes së lakrave dhe kohëve të fundit kultivohet për frutat dhe gonxhet e saja që përdoren si turshi.

Kaperi turshi përdoren shumë në kuzhinën mediterane sidomos me sallmon të tymosur, kur bëjmë peshk në furrë por edhe në sallata e sendviçe kur duam ti shtojmë një shije të fortë me kripë dhe aromë. Shija e kaperit është e fortë dhe disa mund të mos e preferojnë por kur mësoheni me të do ta mbani gjithë afër sidomos kur hani sallmon të tymosur.

Kaperit mund të bëhen turshi si gonxhet ashtu edhe fruti. Mund ti mbledhni vet në bregdet. Në maj mblidhen gonxhet dhe në fund të korrikut e fillim të gushtit mblidhen frutat. Frutat që rriten shumë nuk preferohen pasi që kanë shumë fara dhe nuk janë të përshtatshme.

Sikur ullinjët, edhe kaperit duhet që të rrinë në ujë dhe të ju ndërrohet uji, por kaperit duhet ti ndërrohen vetëm tre ujëra.

Përbërësit për një gavanoz të vogël

  • 200 gr fruta të kaperit
  • ujë mundësisht i filtruar (ose i vluar dhe i ftohur) për ulje dhe për turshi
  • 1 lugë mesatare kripë e trashë
  • 2 lugë uthull

Përgaditja

  1. Pasi që nuk mund ti gjeni në treg të freskëta, nëse nuk pritoni, mund ti mbledhni tani në fillim të gushtit nëse jeni në jug të Shqipërisë, sidomos në zonën në mes të Sarandës dhe Ksamilit. Mund të gjinden edhe në Jale, Dhërmi apo Karaburun. Mbledhni aq sa të mund të mbushni një gavanoz të vogël. Nëse nuk ka mjaft fruta mund të përdorni edhe pipat e njomë të bimës
  2. I shpërlani mirë me ujë dhe i qitni në një gavanoz, i mbushni me ujë të filtruar. I qitni diçka përmbi, nëse ngriten mbi sipërfaqe të ujit, që të jenë të zhytura mirë në ujë
  3. Tani 3 ditë rresht, përafërsisht në të njëjtën kohë, i derdhni ujin dhe i shpërlani para se ti shtoni ujin e freskët. Mund të mos ju pëlqejë era, pasi që është mjaft e fortë, por mos u mërzitni, nuk janë të prishura
  4. Pas tre ditëve, ia derdhni ujin e fundit dhe i shpërlani mirë. Mund ta përdorni të njejtin gavanoz. Ia shtoni kripën e trashë, uthullën dhe e mbushni me ujë të filtruar deri sa të mbulohen mirë. I shtyni me ndonjë enë të vogël prej qelqi nëse nuk rrijnë poshtë ujit. Tani e leni në një vend të errët dhe të freskët për afro 1 javë.
  5. Pas një jave e futni në frigorifer dhe mund të filloni ta përdorni (në foto poshtë është edhe turshia me gonxhe në gavanozin me kapak)

Servimi

Kaperit mund ti përdorni me peshk, mund ta shtoni në sallatë të domateve apo sallatë të gjelbër, në pasta, etj.

Ju bëftë mirë!

 

Lini një koment