Salca me tahini është e ngjajshme me salcë kosi por që ka shije orientale për shkak të tahinit. Tahini është pastë e farave të susamit e cila përdoret në shumë receta orientale si Baba Ganush, Humus, Tahin Halva, dhe mund ta gjeni në shitore që janë pak më shumë të furnizuara, zakonisht tek raftet e ushqimit të shëndetshëm apo aziatik.
Salca e tahinit është shumë e mirë me mish kingji/qengji, mish edhi/keci dhe mish të pulës, sidomos në stil oriental, në petë apo stil të sufllaqes.
Përbërësit (mund të përgjysmoni sasinë sipas nevojës)
- 1/4 e gotës tahini
- 2 gota kos ose jogurt i trashë
- lëng i gjysëm limoni
- 1 lugë vaj ulliri
- piper i zi
- magdanoz i grimcuar ose rigon i thatë
- pak kripë sipas shijes
Përgaditja
- Në një enë të thellë ovale i përzieni të gjithë përbërësit mirë duke pasur kujdes që tahini të shpërndahet mirë pasi që mund të mblidhet në grimca
- E mbuloni me një kapak ose e zhvendosni në një enë që mbyllet mirë dhe e leni pak në frigorifer, që të trashet pak dhe të veprojë kosi me tahinin, deri në momentin kur ju duhet
Servimi
Mund ta përdorni me çfarëdo lloj mishi në petë dhe me pak sallatë apo sido që ju pëlqen ju.

Ju bëftë mirë!