Në Ksamil është një mishtore “Mish i Freskët Labëria” me pronar Arti Mema, ku ka mish fantastik të viçit, kingjit/qengjit dhe edhit/kecit. Natyrisht ka edhe mishëra tjera por, për mua, këto janë favorite dhe janë absolutisht fantastike. Pasi që jam në afërsi të Ksamilit, në Kep Merli, vendosëm të marrim mish të bluar tek Arti Mema, që të pushojmë pak nga peshqit dhe frutat e detit. Morëm pak mish të bluar të viçit dhe pak të kingjit/qengjit që të pregatisim qofte të stilit Adana Kebapi.

Natyrisht qoftet mund ti pregatisni edhe vetëm me mish viçi ose, nëse jeni gurman, edhe vetëm me mish kingji/qengji që nuk ka yndyrë, por këtë herë vendosa që të jenë të përziera.

Qoftet mund ti servoni si të ju pëlqejë por këtë herë unë vendosa ti servoj në petë dhe prandaj edhe pregadita salcën me tahini, që bëhet shumë shpejtë dhe lehtë.

Përbërësit

  • Rreth 500 gr mish i bluar viçi dhe kingji/qengji me shumë pak yndyrë
  • 1 vezë
  • 2 lugë miell ose troshka të bukës të thara
  • 1 thalb i vogël i hudrës
  • 1 qepë e madhe
  • 1 tufë e vogël magdanoz
  • pak rigon i thatë
  • 1 lugë mesatare kripë sipas shijes
  • pak piper i zi
  • 1 lugë e madhe piper i kuq
  • pak piper i kuq i djegës (opcionale)
  • 1 lugë e vogël këri pluhur (opcionale)
  • Vaj ulliri për përzhitje dhe për formësimin e qofteve

Përgaditja

  1. Së pari i grimconi imët me thikë ose në mikser qepën, hudrën dhe magdanozin
  2. Në një enë të thellë e qitni mishin dhe i shtoni qepët me hudër dhe magdanoz. I shtoni të gjithë përbërësit tjerë dhe i përzieni mirë. I ngjeshni së bashku për afro 1 minutë që të bëhet masa kompakte. Nëse ju duket shumë e qullët mund ti shtoni pak miell
  3. E mbuloni me një kapak ose najllon puthitës dhe e leni të pushojë në një vend të freskët, ose në frigorifer, deri sa ti bëni gati përbërësit tjerë si salcën, sallatën apo patatet (varësisht me çka vendosni ti servoni)
  4. Tani merrni një enë të gjërë të rrafshtë dhe merrni afër pak vaj ulliri. Lyeni duart që të mos ju ngjitet mishi në duar, poashtu e lyeni edhe fundin e enës ku do ti renditni qoftet
  5. E merrni mishin në copa të madhësisë që ju pëlqen dhe i jepni formën që dëshironi
  6. I renditnin në pjatën që e keni lyer me vaj dhe tani e nxehni mirë një fërtere ku doni ti përzhitni
  7. Para se të filloni përzhitjen hudhni pak vaj në fërtere dhe filloni menjëherë me përzhitje të qofteve që të mos digjet vaji
  8. I qitni qoftet gradualisht aq sa keni hapësirë dhe e skuqni mirë secilën në të dy anët
  9. Kur të kryhen të gjitha, në të njejtën fërtere, mund ti ngrohni petët (nëse i përdorni) ose i qitni përmbi qofte mu para fundit që të ngrohen nga avulli i qofteve

Servimi

I servoni me petë apo pitalka, salcë tahini, sallatë apo sido që të ju pëlqen ju.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment