Kopra e detit apo kritamo (greqisht), është bimë që rritet e egër në bregdet, sidomos në jug të Shqipërisë, në vendet shkëmbore buzë detit e shpesh edhe në plazhe të egra të ruajtura ku nuk ka fluks të njerëzve. Në fund të verës lulëzon, ngjashëm me koprën por me kurora më të plota dhe shumë të bukura, dhe i jep bukuri dhe madhështi shkëmbijve të ashpër të bregdetit. Rritet shumë dhe lirshëm, në pjesët shkëmbore të bregdetit, në mes të Sarandës dhe Ksamilit.
Është bimë e bukur me shije të kripës, me aromë të fortë edhe që të kujton shijen e koncetruar të koprës. Është e mirë që të bëhet turshi dhe pastaj mund të shtohet në sallata, sidomos me domate, edhe mund të përdoret si meze.
Duhet të mblidhet kur është e njomë, në muajin maj dhe filllimin e muajit qershor, kur i kanë pipat e njomë pra, sapo ka filluar të rrisë degë të reja. I mbledhim vetëm pipat e butë për turshi.
Përbërësit për një gavanoz mesatar
- 250 – 300 gr kopër deti (vetëm pipat e njomë)
- 1 litër ujë për përvëlim
- 1 lugë kripë
- 2 lugë uthull
- shumë pak kripë
- ujë deri sa mbulohet turshia
Përgaditja
- Pasi që nuk mund të gjeni në shitore, nëse jeni në bregdet në maj ose fillim të qershorit, i mbledhni pipat e koprës së detit, i largoni bishtat që ju duken të fortë dhe i pastroni mirë me ujë
- E vloni ujin, i shtoni kripën dhe e qitni koprën e detit. E mbyllni temperaturën dhe i leni ashtu afro 5 minuta që të zbuten
- I kulloni dhe i renditni ashtu të nxehta në gavanoz steril
- Tani i shtoni pak kripë, uthullën dhe e mbushni me ujë të filtruar, ose ujë të vluar dhe ftohur, deri sa të mbulohet mirë që gjethet të jenë nën ujë
- E mbyllni mirë me kapak dhe e leni në një vend të errët për afro 1 javë
- Pas një jave e futni në frigorifer dhe filloni konsumimin
Servimi
Është shtesë e mirë në sallatë të domateve, mund ta servoni në vend të ullinjve gjatë mëngjesit apo si pjesë e mezes, si çdo turshi tjetër. Shija është shumë e fortë dhe me plot karakter dhe përshtatet shumë edhe me sallmon. Është e mirë për t’i shtuar shije dhe karakter ushqimit që servoni.



Ju bëftë mirë!