Siç ju kam treguar, në recetën për fazan të pjekur në furrë, ne furnizohemi me mish organik d.m.th. të rritur në mënyrë tradicionale, jo intensive, nga ferma që gjindet në rrugën për Radavc, Pejë. Po ju jap edhe një herë numrin e telefonit nëse doni ndonjëherë të bleni edhe vet produkte organike dhe shumë të mira, pasi që nuk ka ndonjë adresë në internet. Është mirë ta kontaktoni gjithmonë një ditë para se të shkoni për blerje që të kuptoni se çka ka në dispozicion, pasi bujqësia organike është shumë sezonale. Numrat e telefonit: +38345635648 dhe +38349811588 (viber).

Këtë herë kemi marrë mish edhi/keci të kuq. Zakonisht e coptojmë vet dhe i ndajmë pjesët që kur na nevojitet e dijmë se çfarë mënyre e pjekjes duhet të bëhet, pasi varësisht prej pjesës së mishit e bëjmë edhe mënyrën e pregatitjes. Në këtë rast kishim edhe të brendshme. Të brendshmet është mëkat të ngrihen pasi që shija e tyre humbet dhe nuk janë as përafërsisht të buta dhe të këndshme sikur kur përdoren të pa ngrira. Kërkoj falje që kam harru të bëjë më shumë foto por do e sqaroj mirë me shkrim.

Në këtë recetë i kemi pregatitë të gjitha të brendshmet, edhe testiset, për ata që nuk preferojnë munden lirisht të mos i përfshijnë. E kemi përfshi edhe shpnetkën, që në Kosovë nuk është se përdoret shumë, së paku unë nuk e kam hasë.

Vlerat ushqyese të shpnetkës janë impresionuese. Nëse e konsumoni, i plotësoni nevojat ditore shumë përtej 100% (në afro 200 gr shpnetkë) të hekurit, selenit, fosforit; i tejkaloni vlerat ditore të vitaminës C dhe B12. Plotëson nevojat ditore për protein. Poashtu mëlçia ka sasi shumë të larta të vitaminava A, B12, B2, B6, sasi tepër të lartë të bakrit, etj. Njejtë janë të pasura me vitamina dhe minerale edhe zemra me veshket. Prandaj, nëse keni mundësi të gjeni mish organik, të brendshmet do të jenë shumë të shëndetshme dhe preferohen të konsumohen, por jo shpesh për shkak të vlerës së lartë të vitaminës A sidomos tek mëlçia.

Përbërësit (për 4 persona):

  • Të brendshmet e edhit: mëlçia, veshket, zemra, shpnetka dhe testiset (opcionale)
  • 1 thalb i madh i hudrës, i ndrydhur dhe i prerë në copa për të lëshuar aromën
  • 1 qepë mesatare, e copëtuar në copa jo shumë të imëta
  • 1 tufë e vogël rozmarin, i ndarë nga shtagat dhe e grimcuar mirë
  • pak trumzë, gjethet e ndara
  • pak rigon i thatë
  • kripë sipas shijes
  • 4 lugë vaj ulliri
  • 2-3 lugë lëng limoni

Përgaditja

  1. Së pari i pastroni të gjitha të brendshmet nga cipat, dhe pjesët e forta dhe i preni për së gjëri, në trashësi të gjysëm gishtit për mëlçinë, shpretkën dhe veshket. Zemrën e preni pak më hollë se tjerat. Mos i shpërlani
  2. Nëse i përdorni testiset, së pari i hiqni të dy cipat dhe e preni në copa në trashësi të gjysëm gishti. I ulni në ujë dhe i leni afro 15 minuta. Derdhni ujin dhe e përsërisni edhe një herë. Tani i kulloni edhe ujin e dytë dhe i qitni në letër të kuzhinës që të hiqet uji mirë
  3. Në një enë të thellë, ku do ti marinoni, qitni hudrën, qepën, rozmarinin, trumzën, rigonin, kripën, limonin dhe vajin. I përzieni mirë dhe i qitni të gjitha copat e të brendshmeve (së bashku me testiset nëse i përdorni). Shtoni vaj nëse ju duket që ka nevojë
  4. I përzieni mirë që secila pjesë të mbështillet mirë me marinadë dhe i mbuloni që të marinohen edhe 30 minuta. Nëse doni ti piqni më vonë, i shtini në frigorifer dhe i nxjerrni 15 minuta para se të filloni me pjekjen
  5. Tani e nxeni mirë fërteren dhe, në zjarrë të lartë, filloni ti piqni një-nga-një, duke iu larguar copat e qepëve dhe hudrës dhe duke tentuar që të mos i hudhni të gjitha përnjëherë që të mos bie temperatura në fërtere. Filloni me mishin e zemrës, vazhdoni me tjerat dhe në fund i pjekni copat e testisit (nëse i përdorni)
  6. Mos i pjekni gjatë, asnjërën nga të brendshmet, sepse bëhen të forta dhe të pashijshme. Pra, posa vëreni që ka filluar t’ju ndryshojë ngjyra nga njëra anë, e rrotulloni menjëherë, dhe deri sa e vëreni që nuk është më e kuqe nga asnjëra anë e jashtme e largoni në një pjatë
  7. I pjekni në zjarrë të lartë që të mos zihen por të piqen mirë jashtë derisa brenda ta ruajnë butësinë
  8. Gjatë pjekjes mund të digjet gjaku që lëshojnë por s’ka gjë vazhdoni deri sa ti kryeni në tërësi të gjitha copat
  9. I servoni menjëherë sa janë të nxehta
  10. Mbetja e marinadës mund të përzhitet dhe të përdoret anash ose mund ta hidhni

Servimi

I servoni me pasta të vogla anash, apo pilaf dhe pak sallatë sezonale që e preferoni.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment