Pasi që të bëni brumin sipas recetës që mund ta mbani në frigorifer të papjekur për 3 ditë, në friz 3 muaj dhe të pjekur mund ta mbani në friz 1 muaj. Kur ju duhet vetëm e shkrini në temperaturë të dhomës dhe vazhdoni si në këtë recetë prej aty ku keni mbetur që ta keni gati për këtë recetë.
Mund ta përdorni që të bëni tarta me fruta të ndryshme apo edhe me perime si kungull misiri dhe karrota. Kjo recetë është e bërë me karrota, dhe e kujton pak vjeshtën por është e mirë edhe gjatë sezonit të verës kur fillojnë karrotat e para.
Përbërësit (filxhani për masë me vëllim 250 ml)
- Kore, e pjekur dhe e ftohur, për tartë sipas kësaj recete
- 680 – 700 gr karrota
- 2 lugë puter/gjalpë i zbutur
- 1/2 filxhan sheqer i kaftë qeltë (ose çfarëdo që keni)
- 2 ve të mëdha
- 1 1/2 lugë e mesme kanellë
- 1/2 lugë e mesme arrëmyshk (arrë muskati) e gërryer
- 1/4 lugë e mesme xhenxhefil i gërryer imët
- 1 lugë e mesme vanile e bluar, ose sheqer pluhur apo esencë (cilëndo që e keni)
- pak kripë
- 1 lugë miell (nëse ju duken karrotat e lëngshme e shtoni edhe 1 lugë)
- 3/4 filxhanit kos ose jogurt të freskët me yndyrë të plotë
Përgaditja
- Pastroni dhe qëroni karrotat, pastaj i coptoni në copa afro 3cm. E nxeni furrën në 200°C, i qitni karrotat në një enë me kapak dhe i pjekni 30-45 minuta, ose deri sa të ju duket se janë zbutur mirë. Mund edhe ti zieni por me pjekje i ruani vlerat ushqyese më shumë dhe kur i zieni duheni pastaj ti avulloni ujin, që mua më duket e panevojshme pasi që shija dhe vlerat e karrotës do të humben
- Pasi që të piqen i largoni nga furra dhe e hapni kapakun që të përshpejtohet ftohja. I leni të ftohen dhe në ndërkohë i bëni gati në një enë të gjitha mëlmesat që ti keni gati
- Pasi që të jenë ftohur karrotat, pra që të mos ketë rrezik se do të piqen vezët që do ti përdorim në recetë, së pari e lëshoni furrën të nxehet në 175°C, dhe filloni me pregatitjen. I qitni karrotat në mikser për bluarje së bashku me puterin/gjalpën dhe i bluani mirë duke i shtyer poshtë copat që mbeten lartë deri sa të bëhet një pure e njëtrajtshme
- Tani i shtoni kripën, sheqerin, vezët, miellin, kosin dhe të gjitha mëlmesat që i keni bërë gati. I përzieni edhe njëherë mirë në mikser dhe e qitni të gjithë masën në koren që keni përgatitur
- E rrafshoni mirë kremën e karrotës dhe e futni në furrë që të piqet për afro 1 orë
- E nxerrni nga furra dhe e leni të ftohet në temperaturë të dhomës, pastaj e ftohni në frigorifer së paku dy orë
Servimi
E servoni kur të jetë ftohur mirë me pak ajkë të rrahur. Mua më pëlqen ashtu si është ose me pak reçel të thartë.







Ju bëftë mirë!