Kjo recetë është e përshtatshme si shoqërim i ndonjë mishi apo edhe si ushqim i lehtë për darkë.

Nëse patatet janë të freskëta, e nëse i keni nga kopshti juaj, nuk keni nevojë ti qëroni por vetëm ti pastroni mirë me ujë. Kështu edhe i ruani vitaminat. Nëse i pregatisni me këpurdha guacë (oyster) që rriten në trungje e jo në dhe, nuk ka fare nevojë të pastrohen.

Përbërësit

  • 300 gr patate të njoma të lara mirë të paqëruara
  • 1 pako këpurdha guacë
  • pak trumzë gjethet e ndara (apo ndonjë barishte që ju pëlqen)
  • pak bishta të qepve
  • pak kripë
  • pak piper
  • 1 lugë uthull ose pak lëng limoni
  • vaj ulliri për përzhitje

Përgaditja

  1. Së pari i veni patatet në një tenxhere dhe e mbushni me ujë deri sa të mbulohen. I qitni në zjarrë të lartë, të mbuluara me kapak deri sa të marrin valë. E ulni temperaturën në mesatare dhe i leni të zihen 30 – 45 minuta (apo deri sa të jenë të buta nëse i shponi)
  2. Deri sa zihen patatet, i bëni gati këpurdhat duke i ndarë me dorë dhe i mbani në një enë ndarazi
  3. I preni bishtat e qepës dhe i leni ndarazi
  4. I ndani gjethet e trumzës
  5. Pasi që të zihen patatet, e derdhni ujin menjëherë që të ndërprehet zierja, i leni të ftohen pak që të mund ti preni me thikë, në 6 pjesë ose 8, varësisht prej madhësisë së patateve
  6. Tani në një fërtere, ose vok, e qitni vajin dhe e nxeni mirë. I hudhni këpurdhat menjëherë, i përzhitni deri sa fillojnë të zbuten
  7. Menjëherë i shtoni patatet dhe trumzën, nëse ka nevojë shtoni edhe pak vaj pasi që këpurdhat e thithin vajin
  8. Posa përzhiten pak edhe patatet (afro 3 minuta) i shtoni kripën, piperin, lëngun e limonit (ose uthullën), e përzieni pak, i shtoni edhe bishtat e qepës dhe e ndërpreni menjëherë zjarrin
  9. E provoni nëse ka nevojë për më shumë kripë, piper apo limon ose uthull

Servimi

E servoni menjëherë së bashku me çfarëdo mishi që ju pëlqen apo edhe vetëm si sallatë të ngrohtë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment