Sa herë që kam provuar mizo supë më ka pëlqyer shija e këndshme, komplekse por shumë e lehtë, për mua është supë shumë freskuese. Problemi i vetëm është që është vështirë të gjejmë mizo të përshtatshme për këtë supë. Në disa nga shitoret bio mund të gjeni edhe në Prishtinë mizo pastën por zakonisht është mizo e errët që më shumë përdoret për salca se sa për këtë supë. Nuk e di nëse tani së fundmi ka në Maqedoni, pasi ka kohë që nuk kam qenë, por provoni të gjeni. Unë herën e fundit kam blerë në Belgjikë mizo më të lehtë, por ma merr mendja se së shpejti do të ketë edhe në Tiranë në BioJu, ndoshta duhet të ju kërkoj ta sjellin :-).

Pra, nëse keni mizo mund ta pregatisni shumë shpejtë dhe lehtë. Mizo që kisha unë në këtë recetë përmbanë edhe koncentrat të perimeve. Nëse ju keni vetëm mizo të pastër atëherë duhet të shtoni lëngun e perimeve që shija të jetë më e plotë. Mizo supa zakonisht bëhet me 5 përbërës: mizo pastë, tofu i butë (djathë soje), fletë të algave (nori ose vakame) pak bishta të qepës dhe natyrisht ujë. Unë kam shtuar edhe pak gjethe keli. Nëse nuk keni alga apo tofu mund ti zëvendësoni me spinaq dhe këpurdha. Mizo supa nuk duhet të jetë e tejngarkuar me përbërës pasi lëngu vetvetiu ka mjaft shije nëse përmban edhe lëngun e koncentruar të perimeve.

Përbërësit

  • 1 litër ujë
  • 2 qese pastë e lehtë mizo (shiqoni udhëzimin se për çfarë sasie uji është, të miat janë 1 qese për 0,5 litër ujë)
  • 100 gr tofu i butë (ose këpurdha afro 4 copë shampinjon)
  • 1 fletë e plotë nori algë (që përdoret për sushi) apo pak vakame
  • Pak gjethe keli apo pazija (vetëm nëse përdorni alga përndryshe nuk ka nevojë)
  • pak bishta të qepve

Përgaditja

  1. Së pari, nëse përdorni vakame duhet që ta rehidroni për 10-15 minuta dhe pastaj ta shpërlani mirë (nëse përdorni fletë nori nuk keni nevojë ta bëni këtë
  2. I coptoni algat, nuk keni nevojë ndonjë formë të rregullt. Nëse përdorni vakame ia largoni mesin e fortë dhe e hudhni (nëse përdorni spinaq si zëvendësim, e pastroni dhe e preni në copa jo shumë të vogla)
  3. E preni tofun në kubëza (ose i grimconi këpurdhat në katrorë të vegjël)
  4. I preni bishtat e qepës
  5. Tani e mbushni tenxheren e supës me një litër ujë dhe posa të merr valë të lehtë i shtoni kelin dhe algat (apo vetëm spinaqin me këpurdha) dhe i leni të zihen afro tre minuta në zjarrë mesatar
  6. I shtoni tofun (nëse e përdorni)
  7. E zbrazni mizo pastën në një enë të vogël ovale dhe e tretni me kujdes me pak ujë të vluar, duke shtuar ujin pak nga pak dhe duke e përzier me tel rrahës deri sa të tretet mirë dhe të hollohet pak
  8. Tani e ndërpreni temperaturën e supës dhe e largoni nga zjarri
  9. I shtoni mizon e pregatitur duke e përzier me një lugë druri deri sa të inkorporohet mizo mirë
  10. I shtoni dhe bishtat e prerë të qepës

Servimi

E servoni menjëherë si fillim të drekës apo edhe si darkë të lehtë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment