Kjo recetë është e lehtë dhe shumë e shijshme për drekë apo si meze për ndonjë ndejë me shoqëri, përshtatet shumë mirë me birrë.
Nëse doni të shkurtoni kohën e pjekjes, e mbani të marinuar prej 30 minuta deri në 2 orë. Marinimi është i njejtë sikur me recetën e mishit të bardhë vetëm se këtu shtojmë edhe limon që i jep mjaftë shije krahëve sidomos nëse janë pak më të yndyrshëm.
Përbërësit
- 1 kg krahë pule të prerë në copa ndarazi
- 1.5 lugë piper i kuq
- pak piper i kuq i djegës (sipas dëshirës)
- 1/4 lugë këri pluhur (opcionale)
- 1/4 lugë kripë (apo sipas shijes, por nuk ka nevojë për shumë kripë)
- 1/2 lugë rigon i thatë
- 1/2 lugë pluhur i hudrës ose 2 thelpinj të mëdhenj të ndrydhur për shije
- pak piper të zi
- lëngu i gjysëm limoni
- 3 lugë vaj ulliri (apo sipas nevojës)
Përgaditja
- Së pari i lani mirë krahët dhe kontrolloni nëse ka nevojë të pastrohet nga puplat apo qimet e mbetura. I leni të kullohen mirë. mos harroni ti pastroni duart me sapun dhe të lani me deterxhent kudo që keni prekë me krahët e pulës
- Në enën që doni ti marinoni i qitni të gjithë përbërësit dhe i përzieni mirë deri sa të përfitoni një masë viskoze dhe të lëngshme. Nëse ju duket e thatë, shtoni edhe pak limon dhe pak vaj ulliri deri sa të fitoni një masë kremoze
- Tani i shtoni të gjitha copat e krahëve në marinadë dhe i përzieni mirë që secila të mbështillet mirë me marinimin. E marinoni prej 30 minuta deri në dy orë (nëse e mbani dy orë mbajeni në frigorifer dhe e nxjerrni 15 minutat para pjekjes) ose, nëse nuk keni kohë të prisni, filloni pjekjen pas 15 minutash
- E nxeni furrën në 220°C – 230°C, dhe deri sa të nxehet furra i renditni krahët një-nga-një në rrjetën e furrës të cilën e keni vënë mbi tepsinë e furrës që të kenë ku të kullohen gjatë pjekjes. Nëse i keni përdorur hudrat i largoni nga marinada dhe nëse ka mbetë në enë edhe ndonjë sasi e marinadës e merrni me shpatull (lugë) dhe ia hidhni krahëve përmbi që të krijohet shtresë e karamelizuar gjatë pjekjes.
- E futni në furrë në nivelin e mesëm dhe e pjekni për 15 minuat në temperaturë të lartë, pas kësaj e ulni temperaturën në 170°C-180 °C edhe për 30 – 45 minuta të tjera apo deri sa skuqen mirë
- Nëse ju duket që nuk janë skuqur mjaft, në fund të pjekjes mund të lëshoni për dy-tre minuta programin për skuqje lartë
- E mbyllni tërësisht furrën dhe mund ta leni edhe disa minuta në furrë deri para servirjes
Servimi
E servoni me sallatën tuaj të preferuar, me patate apo me çkado që ju pëlqen.
Ju bëftë mirë!