Finoku është bimë e familjes së koprës por që krijon kokë e cila mund të përdoret në shumë pregatitje nëse ju pëlqen aroma. Përshtatet mirë me peshk por edhe si perime e pjekur me pak balsamik. Aroma është sikur anis, ju kujton Uzon dhe Yeni Raki që për disa nuk është e këndshme. Megjithatë në këtë sallatë aroma zhduket pothuajse tërësisht dhe është shumë freskuese gjatë ditëve të nxehta.

Finoku rritet i egër në mesdhe, pra edhe në brigjet e Shqipërisë, sidomos në jug. Lloji që krijon kokë është i njohur si Finoku i Firences dhe është kultivar. Edhe farat e finokut përdoren në zierje dhe në gatim. Finoku është i pasur me shumë vlera ushqimore e sidomos me nivel të lartë të kalciumit, hekurit, manganit dhe magnezit, ku 100 gr i finokut i tejkalon vlerat ditore prej 100% të të katrave. Gjithashtu është e pasur me vitamina.

Në mënyrë që sallata të jetë e këndshme, copëzat e finokut duhet të prehen shumë hollë që të përtypen më lehtë dhe të kanë më shumë shije.

Përbërësit

  • 1 kokë e mesatare e finokut
  • pak gjethe borziloku
  • 1 lugë uthull e lehtë e mollës ose 2 lugë lëng limoni
  • 1 lugë vaj ulliri
  • pak kripë

Përgaditja

  1. Së pari e lani finokun dhe pastaj i hiqni shtresat e jashtme dhe ia preni fundin e fortë dhe bishtat
  2. E preni në mes dhe nëse ju duket që ka ende pjesë të forta i preni. Filloni ta preni sa më hollë që të mundeni dhe i qitni në një pjatë për sallatë
  3. I pastroni gjethet e borzilokut dhe i preni. Hudhini së bashku me finokun
  4. I marinoni menjëherë që borziloku mos të ndryshon ngjyrën duke i shtuar një pas një uthullën (ose limonin), vajin dhe kripën
  5. I përzieni mirë dhe e servoni ose nëse ju duhet për më vonë e mbani në frigorifer të mbuluar deri në momentin që ju duhet

Servimi

E servoni si shoqërues të ndonjë peshku apo nëse ju pëlqen edhe mish pule të bardhë. Nëse nuk keni borzilok mund të përdorni magdanoz në vend të tij.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment