Paela (tava me oriz) është specialitet i Valencias, Kataloni/Spanjë. Është me origjinë Marokene dhe Paela origjinale mendohet që është bërë me mish lepuri dhe kërmij. Tani ka shumë lloje dhe të gjitha janë të shijshme. Paela (që në Katalançe do të thotë fërtere apo tavë) është e lehtë të pregatitet vetëm se kërkon kohë dhe pregatitje para se të filloni me zierjen e saj. Ia vlenë ta bëni në shtëpi pasi që shija e asaj që bëhet në shtëpi nuk krahasohet me atë të restorantit. Që të kemi Paela të mirë duhet ti përmbahemi disa principeve:

  1. Duhet patjetër të kemi lëng të mirë mishi, si rregull është ta kemi të pulës për çfarëdo Paele që bëjmë, por unë e bëj edhe me mish të lepurit pasi që shijet janë shumë të përafërta, megjithatë pula ka më shumë shije, sidomos pula e fshatit
  2. Lëngun e mishit duhet ta mbajmë të nxehtë (jo të vluar) gjatë kohës që e ziejmë Paelën
  3. Orizi që përdoret duhet patjetër të jetë i rrumbullakët dhe i plotë, jo i hollë dhe i gjatë
  4. Duhet të kemi copa mishi të pulës, të lepurit apo fruta deti
  5. Duhet të kemi ndonjë lloj të fasules, ose bizele me bishtaja (mangetout) apo edhe çiçra, gjithnjë varësisht prej asaj se çka keni në shtëpi
  6. Për shije autentike do ju duhet shafran. Shafrani është mëlmesë e shtrenjtë, edhe pse rritet në Kosovë me kualitet fantastik, dhe nëse nuk doni të shpenzoni aq shumë atëherë shafranin mund ta zëvendësoni me pak verë të lehtë (roze) dhe piper të kuq për ngjyrë dhe për shije
  7. Do ju duhet pak domate. Nëse përdorni domate të freskët e qëroni dhe ia hiqni farat dhe lëngun, pra e shtrydhni mirë. Mund të përdorni pure të domates të koncentruar (1 lugë) ose pasata të domates (2-4 lugë). Disa receta preferojnë edhe speca të kuqe të pjekura dhe qëruara, vendosni ju se çka ju pëlqen më shumë
  8. Si opcionale, mund të përdorni edhe suxhuk, për shije, që përzhitet në fillim për të lëshuar aromat. Në Spanjë përdoret chorizo që është shumë pikant, e ne në Kosovë kemi mjaft shumë zgjidhje sa i përket llojeve të suxhukut. Për Paela ju duhet ai lloj që ka mëlmesa dhe është pikant por, ka persona që nuk e preferojnë prandaj edhe mund të mos e përdorni fare

Pasi që të bëni së paku tre herë një lloj të Paelës (ndoshta edhe vetëm një :-), do të jeni në gjendje të krijoni verzionet që ju pëlqejnë juve më shumë. Këtu do të kemi recetën me mish lepuri, shpresoj që në postimet e ardhshme së shpejti do të kem edhe Paela me mish të pulës, ose me fruta deti apo edhe të përzier pulë me fruta deti.

Përbërësit

  • 1 lepur i copëtuar në copa sipas madhësisë që ju pëlqen dhe i marinuar në pak vaj, uthull ose limon, kripë, rozmarin dhe hudër e ndrydhur (minus koka dhe pjesët që i keni përdorë për lëngun e supës). Unë i lë copat e mëdha, pra vetëm e dekonstruktoj lepurin pasi që pjesët e ndryshme duan kohë të ndryshme të pjekjes e kështu e kam nën kontroll
  • 1 litër lëng mishi i lepurit ose pulës
  • 280 – 290 gr oriz (1 filxhan i madh i plotë)
  • 50 gr suxhuk pikant (opcionale)
  • 1 qepë e madhe e prerë imët
  • 2 thelpinj hudër e grimcuar
  • 10-15 fije shafran (afro 0.5 gr) të shtypura dhe të ulura në pak ujë ose piper i kuq dhe pak verë roze
  • 1 domate e qëruar dhe e shtrydhur mirë, ose 1 lugë pure domatesh apo 2-4 lugë passata
  • 1 kanaqe qiqra
  • pak bizele në bishtajë (opcionale)
  • 1 lugë mesatare kripë (provojeni lëngun e mishit nëse ka shumë a po pak kripë dhe e përshtatni në bazë të asaj)
  • Vaj ulliri për përzhitje

Përgaditja

  1. Së pari e coptoni lepurin si në foto
  2. E pastroni mirë dhe e kulloni dhe e marinoni në vaj ulliri (pak më shumë sepse lepuri nuk ka shumë yndyrë), pak kripë, copa të hudrës të ndrydhura për aromë, rozmarin te shtypur pak dhe 1/2 lëng limoni ose 1-2 lugë uthull nëse nuk keni limon. E leni të rrijë afro 30 minuta deri në dy orë. Të brendshmet mund ti përzhitni anash pas marinimit si meze
  3. Në ndërkohë, pregatisni përbërësit tjerë. Së pari e pastroni orizin mirë me disa ujëra dhe e leni të rrijë pak i ulur në ujë (15 min) dhe e kulloni mirë
  4. Grimconi qepën, hudrën, bëni gati domaten (nëse e përdorni të freskët) ose purenë e domates apo pasatën
  5. Bëni gati shafranin duke e vënë në një enë të vogël, e shtypni pak me gishta dhe i shtoni pak ujë të filtruar që të fillojë të lëshojë aromat
  6. Kulloni qiqrat dhe i shpërlani mirë
  7. I pastroni bishtajat nga fijet dhe i shpërlani
  8. E preni hollë suxhukun (nëse e përdorni)
  9. Lëngun e mishit e nxeni dhe e leni afër hapësirës ku do të zieni dhe të gjithë përbërësit i rendisni afër
  10. Tani e nxeni enën ku do të pregatisni Paelën. Ideale është një enë me dy dorëza, e rrumbullakët dhe pak më e thellë, bën edhe ovale
  11. Përzhisni suxhukun në yndyrën e vet deri sa të lëshon aromat por mos e djegni. E largoni anash dhe shtoni pak vaj ulliri nëse ka nevojë dhe filloni me pjekjen e lepurit. Së pari i qitni këmbët e prapme të lepurit dhe i përzhitni mirë në zjarrë të fortë deri sa të skuqet. E ulni temperaturën dhe e leni të piqet edhe 10 minuta, i largoni anash dhe i shtoni këmbët e përparme, dhe e ngrisni edhe njëherë pak temperaturën që ti skuqni, menjëherë shtoni edhe pjesët tjera dhe kur skuqen pak secila, e ulni temepraturën edhe njëherë (mishi i lepurit shtërngohet në temperatura shumë të larta) dhe e leni edhe afro 20 minuta të mbuluar që të zbutet mishi. Tani e largoni mishin në një enë tjetër dhe vazhdoni me përzhitjen e përbërësve tjerë
  12. Nëse ka nevojë shtoni edhe pak vaj, ngriteni temperaturën, dhe i hudhni qepët. I përzhitni deri sa të fillojnë të bëhen të tejdukshme dhe i hudhni hudrën, e menjëherë pas kësaj orizin
  13. Përzhiteni deri sa orizi të thithë mirë vajin (nëse nuk përdorni shafran tani i hudhni piperin e kuq dhe verën përndryshe e kaloni këtë hap) dhe i shtoni domatet (apo purenë/pasatën) duke e larguar orizin anash dhe e përzhitni domaten deri sa të lëshojë aromën
  14. Tani e përzieni orizin së bashku me domatet dhe filloni me procesin e zierjes duke i hedhur lëngun e mishit dhe duke e përzier deri sa të shteret lëngu, dhe kështu disa herë derisa të vëreni që orizi ka filluar të zbutet
  15. Tani i hudhni shafranin, qiqrat dhe bishtajat (nëse i përdorni) e përzieni mirë dhe i shtoni edhe pak lëng. E ktheni mishin e lepurit
  16. E leni të ziejë pak që lepuri të thithë shijet, dhe e nxeni furrën në 220°C. I shtoni edhe suxhukun nëse e keni përdorë dhe e futni brenda në furrë. E leni të piqet në furrë për afro 15-20 minuta
  17. Pasi që e nxjerrni nga furra e leni të pushojë afro 10-15 minuta

Servimi

Paela mund të servohet me copa limoni anash apo me sallatë të domates (vetëm domate e qepë me pak vaj ulliri) apo sido që e preferoni ju. Sidomos përshatet me birrë Corona.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment