Mishi i lepurit të fermës është mish shumë i lehtë që ka proteina dhe ka më pak yndyrë se sa mishi i pulës. Shija është shumë e afërt me atë të pulës dhe mishi është i bardhë. Mish lepuri mund të gjeni në Tiranë në Conad, BioJu dhe Baronesha. Nëse keni fat edhe gjeni lepur të egër, shija është fantastike dhe mishi është i kuq. Për lepurin e egër do të shkruajë në ndonjë postim tjetër se si të pregatitet pasi duhet patjetër të rrijë në marinadë speciale që të zbutet mishi. Këtu do të bëjmë lëngun e mishit të lepurit të cilin mund ta përdorni njejtë si lëngun e pulës për supa por mund ta përdorni edhe për paela apo rizoto ose edhe ramen.
Lëngun e supës mund ta bëni nga koka dhe qafa dhe ndonjë pjesë tjetër që nuk ka mjaft mish, si pjesa e bishtit. Ose mund ti shtoni edhe këmbët e përparme. Në fotot më poshtë e shifni si duket lepuri dhe pastaj se si është i prerë. E ka principin e ndarjes pothuaj gati njejtë si pula.
Përbërësit
- Koka së bashku me qafën e lepurit, pjesa e bishtit dhe copat e barkut (ose edhe këmbët e përparme)
- 2 karrota mesatare
- 1 qepë mesatare
- 2 gjethe dafine të freskëta apo të thata (ose magdanoz apo borzilok)
- 1 lugë e mesme kripë
- 1 l ujë i filtruar
Përgaditja
- Së pari e coptoni lepurin si në foto
- E pastroni mirë dhe e kulloni
- Merrni një tenxhere të thellë (me presion nëse doni të shpejtoni zierjen)
- I qitni copat e mishit të rezervuara për supë, copat tjera i ndani për pjekje apo paela
- Shtoni karrotat e qëruara dhe të coptuara, qepën e prerë në copa mesatare, gjethet e dafinës (apo çkado që përdorni), kripën dhe ujin (nëse e përdorni tenxheren me presion qitni ujë deri te vija e maksimumit)
- E mbyllni me kapak dhe prisni deri sa të merr valë. Posa merr valë e ulni temperaturën në minimum dhe e zieni 30 minuta në tenxheren me presion ose 1,5 orë nëse është me tenxhere klasike
- Pasi që të zihet e leni të ftohet pak dhe e kulloni mirë. E ndani mishin dhe e përdorni pastaj nëse pregatisni supën me të apo nëse doni të bëni ndonjë sendviç
Si ta përdorim
Lëngun mund ta mbani në frigorifer deri në tre ditë dhe ta përdorni kur ju duhet. Secila recetë që është për supë të pulës është e përshtashme edhe për këtë lëng të lepurit, prandaj provoni dhe krijoni recetat e juaja.




Ju bëftë mirë!