Kjo është recetë e lehtë dhe e shpejtë, për një mëngjes të mirë, sidomos në fundjavë kur nuk keni nevojë të nguteni për punë.
Pasi që në Kosovë ka shumë këpurdha vendore, të freskëta, është kënaqësi ti përdorësh në shumë receta pasi që shtojmë ushqyeshmërinë e çkado që përgatisim me to. Këpurdhat, nëse i lëmë pak në diell para se ti pregatisim, iu shtohet natyrshëm vatimini D që ne pastaj e absorbojmë në ushqimin tonë. Prandaj, tentoni ti përdorni sa më shumë. Mos i lani kurrë me ujë por vetëm i fshini me ndonjë brushë (mund ta përdorni brushën e rrojes psh) ose me letër kuzhine.
Përbërësit
- 2 këpurdha të mëdha ose 4 mesatare (të bardha apo ngjyrë gështenje)
- 100 gr gjizë të freskët ose rikota
- 1 tubë bishta të qepve
- 1 tubë barishte që preferoni (magdanoz, kopër, etj)
- 6 ve të mëdha (për tre persona)
- 3-4 lugë vaj ulliri për përzhitje
- kripë sipas dëshirës
- piper i zi sipas dëshirës
Përgaditja
- Së pari i pastroni këpurdhat me kujdes me një brushë ose me letër kuzhine. Kurrë mos i lani me ujë. Nëse janë të bardha mund t’ia qëroni cipën e hollë që ti largoni papastërtitë, por mos e bëni me këpurdhat tjera
- I preni këpurdhat dhe i grimconi të gjithë përbërësit tjerë
- E qitni vajin në një fërtere pak më të gjërë dhe i përzhitni këpurdhat në zjarrë të fortë deri sa fillojnë të lëshojnë aromën
- I hudhni pak piper të zi dhe pak kripë këpurdhave që të marrin shije dhe i leni edhe pak në zjarrë
- Gjatë kësaj kohe i përzieni vezët me gjizën/rikotën dhe pak kripë (nëse gjiza është e ëmbël) dhe i përzieni mirë. Nuk ka problem nëse gjiza nuk shpërndahet tërësisht
- Tani i hudhni në fërtere bishtat e qepës dhe barishtet dhe i leni të zbuten në zjarr shumë pak
- I hudhni edhe përzierjen e vezëve dhe e ulni pak zjarrin
- I përzieni me lugë deri sa të shpërndahet nxehtësia njëtrajtësisht
- Vezët duhet të jenë të përzhitura por jo të thata
Servimi
E servoni menjëherë me pak bukë dhe djathë të bardhë, apo sido të ju pëlqejë juve.





Ju bëftë mirë!