Kur nuk keni kohë shumë, doni diçka të lehtë për drekë ose edhe për darkë, kjo recetë është çka ju duhet. Është mirë që mishi të mos jetë i ngrirë, apo nëse ka qenë i ngrirë, ta shkrini mirë para se të filloni me marinimin.

Mishi bëhet i shijshëm, i butë dhe pikant dhe mund të përdoret edhe në sendviç apo me petë. Duhet të keni parasysh që, pasi të keni punuar me mish pule, patjetër duhet ti lani duart mirë me sapun si dhe të gjitha enët apo sipërfaqet ku janë prekur me pulë, për shkak të sallmonellës. Poashtu, mishi i pulës duhet të pjeket mirë por jo të thahet që ti mbytet shija.

Përbërësit

  • 300 – 400 gr mish i bardhë pule i prerë në peta të holla për së gjëri
  • 1 lugë piper i kuq
  • 1/2 lugë këri pluhur ose 1/4 turmerik (opcionale)
  • 1/4 lugë piper i zi
  • 1/2 lugë kripë
  • 1/4 pluhur hudër ose një thalb i hudrës i ndrydhur për të lëshuar aromën (nuk përdoret gjatë pjekjes)
  • 3-4 lugë vaj ulliri

Përgaditja

  1. Së pari e preni mishin e bardhë në petë të holla dhe e thani mirë me letër kuzhine nëse ka qenë i ngrirë
  2. Në një enë hudhni të gjithë përbërësit tjerë dhe i përzieni mirë
  3. Merrni copat e mishit dhe i lyeni mirë me marinadë në të gjitha anët që të mbështillet mirë me mëlmesat dhe vajin
  4. E mbyllni me kapak, ose najllon puthitës, dhe e leni të pushojë për afro 15 minuta ose më gjatë nëse doni. Nëse preferoni më gjatë, e futni në frigorifer dhe e nxjerrni 10-15 minuta para se të filloni me pjekjen
  5. E nxeni mirë fërteren pa yndyrë, pasi mishi i ka të gjitha, dhe filloni ti pjekni një nga një (apo nga dy). Mos e hudhni të gjithë mishin përnjëherë pasi që kështu e ulni temperaturën dhe mishi bëhet si i zier. Gjithmonë duhet të kenë hapësirë copat e mishit në mes njëra tjetrës
  6. E pjekni secilën anë 2 minuta dhe derisa e vëreni se janë skuqë. Kurrë mos e leni shumë gjatë për shkak se e thani mishin dhe ia humbni shijen. Mishi duhet të jetë i pjekur mirë por ta ruajë lëngun
  7. I largoni një nga një me radhë në një pjatë dhe e leni të pushojë afro 5 minuta. Duke pushuar mishi e lëshon pak lëngun e vet, kjo tregon që është i pjekur saktë e jo tepër. Ky lëng nuk guxon të ketë gjak. Nëse ka gjak, kjo tregon që nuk është pjekur mjaft dhe se duhet ta ktheni në zjarrë edhe pak

Servimi

E servoni menjëherë me pak bukë, apo pitalka ose petë. Anash mund të keni sallatën që e preferoni ose perime të ziera. Nëse përdorni petë, mund të përshatet shumë mirë me ngjymin e avokados. Nëse ju tepron mishi, mund ta përdorni të nesërmen për sendviça.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment