Për kërin kemi sqaruar disa pikë në postimin këri me krah pule. Kjo është recetë për rastet kur ju mbeten teprica të pjekjes së mishit si shota/rosa, bibë/gjeldeti, pulë apo ngjajshëm. Por, nëse ju pëlqen receta, lirisht mund ta bëni edhe me mish të bardhë të freskët.

Si me çdo këri, para se të filloni me zierjen, është mirë që ti bëni gati të gjithë përbërësit dhe ti grini të gjitha që kanë nevojë të grihen. Në këtë recetë do të përdorim tamlin/qumshtin e kokosit dhe në vend të patates do të përdorim qiqra. Keni parasysh që për zierje nuk përdoret tamli/qumshti i kokosit në tetrapak që përdoret si zëvendësim i tamlit/qumshti për pirje, pasi që për zierje është shumë i hollë, prandaj në këtë rast na duhet patjetër ai që është në kanaqe (400 ml) dhe që është i trashë. Tentoni që të bleni kualitet se përndryshe do ju prishë shijen e kërit. Edhe për këtë recetë përdorim oriz basmati për servim, por ju mund ta servoni me petë, me pitalka apo thjeshtë me bukë.

Përbërësit:

  • 1 filxhan (2.5 dcl) oriz basmati aromatik, i shpërlarë mirë
  • 2 filxhana ujë për zierje të orizit
  • rreth 300 – 400 gr mish i coptuar nga pjekjet e shotës/rosës, bibës/gjeldetit apo ngjajshëm (ose 400 gr mish të bardhë të coptuar në katrorë afërsisht të njëtrajtshëm)
  • 1 qepë e madhe (e bardhë ose e kuqe, apo të kombinuara)
  • 2-3 thelpinj hudër
  • 1 copë xhenxhefil
  • 2 karrota të grimcuara imët ose e prerë në fletë me thikë mandolinë
  • 1 kanaqe 400 ml tamël/qumësht i trashë kokosi
  • 1 kanaqe 400 ml me qiqra (sasia është rreth 240 gr qiqra të kulluara)
  • pak vaj ulliri (apo luledielli ose susami) për përzhitje
  • pak kripë
  • pak piper i zi
  • 1 lugë e mesme piper i kuq i ëmbël
  • pak piper i djegës (nëse ju pëlqen pikante)
  • 1,5 lugë gjelle pluhur këri
  • Pak gjethe spanaqi, apo ceklla (pazia) ose lakra të egra (hitha, nena, laboda, etj) çkado që keni
  • disa copa limoni apo limeti (limon i gjelbër)

Përgaditja

  1. Së pari pastroni dhe i grimconi të gjithë përbërësit që kanë nevojë të pastrohen dhe grimcohen. Hudrën dhe xhenxhefilin i grimconi së bashku sa më imtë që të mundeni. I kulloni qiqrat nga lëngu i kanaqes dhe i shpërlani mirë me ujë. Nëse doni që të jenë më kremoze, disa prej qiqrave mund t’ia heqni lëkurën.
  2. Në ndërkohë e qitni ujin në një tenxhere të vogël dhe posa të merr valë i hudhni orizin. Sapo të merr valë e ktheni në minimum dhe e leni kapakun pak të hapur anash. Orizi duhet të zihet brenda 20 minutave. Nuk i shtojmë kurrfarë mëlmesa (përpos nëse doni pak kripë) për shkak se të gjitha do të jenë në këri
  3. Kur të zihet orizi, e ndalni temperaturën dhe e mbyllni me kapak, i vini një letër kuzhine përfundi kapakut që të thithë avullin
  4. Deri sa zihet orizi mund të filloni me pregatitjen e kërit
  5. Në një tepsi të thellë me madhësi mesatare (ose në ndonjë enë tjetër që mund të hyjë në furrë) e hudhni vajin dhe, posa të ngrohet pak, e hudhni qepën dhe e përzhitni deri sa të ndjeni aromën
  6. I shtoni hudrën me xhenxhefilin dhe e përzhitni deri sa ndjehet aroma (30 sekonda),
  7. I shtoni karrotat dhe përzhitni afro 1 minutë
  8. Tani i shtoni mishin dhe menjëherë filloni me shtimin e mëlmesave. I largoni mishin dhe perimet në një anë dhe i hidhni mëlmesat një nga një dhe i përzhitni pak që të lirojnë aromën
  9. Tani e përzieni edhe mishin dhe perimet me mëlmesat dhe vazhdoni ti përzhitni edhe pak duke pasur kujdes që të mos ngjitet në fund
  10. Tani i hudhni qiqrat dhe i përzieni pak që të mbështillen me mëlmesat dhe të thithin pak aromat
  11. E hudhni tamlin/qumshtin e kokosit dhe e përzieni mirë që të shpërndahen përbërësit njëtrajtshëm dhe prisni që të marrë valë
  12. Në ndërkohë e startoni furrën në 200°C
  13. Derisa të nxehet furra, e leni që këri të ziejë edhe pak dhe para se ta futni në furrë i qitni gjethet e gjelbra (lakrat) që i përdorni të coptuara lehtë dhe kujdesuni që të mbulohen nga lëngu që të mos thahen në furrë
  14. I qitni disa copa limoni apo limeti edhe ato i fundosni në lëng
  15. E fusni në furrë për afro 20 -30 minuta dhe pastaj e leni të pushojë jashtë furrës afro 5 minuta, e servoni me orizin që e keni zier në fillim

Servimi

E servoni në pjata të sheshta, së pari qitni 2-3 lugë oriz dhe pastaj ia hudhni përmbi kërin. Mos harroni ti largoni copat e limonit pasi që nuk kanë shije të mirë nëse kafshohet, ato e kanë kryer detyrën e vet duke i dhënë aromë dhe shije. Orizin që ju tepron duhet që menjëherë ta fusni në frigorifer, orizi nuk preferohet të mbahet në temperaturë të dhomës. Këri në frigorifer qëndron afro 4 ditë dhe vetëm sa i rregullohet shija.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment