Për kërin kemi sqaruar disa pikë në postimin këri me krah pule. Kjo është recetë me mish kingji/qengji të bluar që bëhet shpejt dhe ka shije fantastike. Është këri me ndikim Maroken. Nëse nuk keni patëllxhan mund ta bëni vetëm me qiqra apo edhe fare pa të dyjat. Në këtë rast natyrisht duhet të shtoni pak më shumë mish dhe perime tjera.

Si me çdo këri, para se të filloni me zierjen, është mirë që ti bëni gati të gjithë përbërësit dhe ti grini të gjitha që kanë nevojë të grihen. Në këtë recetë mund të përdorim domate të freskëta apo të konzervuara. Nëse përdorim domate të freskëta na duhet edhe një deri dy lugë pure të domates. Këtë këri mund ta servoni me petë, me pitalka apo thjeshtë me bukë.

Përbërësit:

  • 350 – 400 gr mish i bluar i kingjit/qengjit
  • 2 patëllxhanë mesatar, ose 1 i madh, të prerë në katrorë të vegjël (mund ta qëroni pjesërisht nëse doni)
  • 1 kanaqe 400 ml me qiqra (sasia është rreth 240 gr qiqra të kulluara)
  • 3 domate mesatarisht të mëdha të qëruara dhe grimcuara ose 1 kanaqe e domateve 400 ml
  • 1 qepë e madhe (e bardhë ose e kuqe ose të kombinuara)
  • 2-3 thelpinj hudër
  • 1 copë xhenxhefil
  • 2 karrota të grimcuara imët ose e prerë në fletë me thikë mandolinë
  • pak vaj ulliri (apo luledielli) për përzhitje
  • pak kripë
  • pak piper i zi
  • 1 lugë e mesme piper i kuq i ëmbël
  • pak piper i djegës (nëse ju pëlqen pikante)
  • 1,5 lugë gjelle pluhur këri
  • 1 lugë e bogël çajit turmerik shtesë (sipas dëshirës)
  • 2 lugë pure domatesh (vetëm nëse përdorni domate të freskëta në vend të kanaqes)
  • Pak kos i freskët (nëse përdorni domate të freskëta në recetë)

Përgaditja

  1. Së pari pastroni dhe i grimconi të gjithë përbërësit që kanë nevojë të pastrohen dhe grimcohen. Hudrën dhe xhenxhefilin i grimconi së bashku sa më imtë që të mundeni. I kulloni qiqrat nga lëngu i kanaqes dhe i shpërlani mirë me ujë. Nëse doni që të jenë më kremoze, disa prej qiqrave mund t’ia heqni lëkurën.
  2. Së pari përzhitni mishin e kingjit/qengjit ndarazi në yndyrën e vet në temperaturë mesatarisht të lartë deri sa të lëshon yndyrën. Posa vëreni se është ndarë yndyra e ndërpreni temperaturën dhe e kulloni mishin në një kulluese të metalit, e leni anash deri sa të filloni pregatitjen e kërit
  3. Në një tepsi të thellë me madhësi mesatare (ose në ndonjë enë tjetër që mund të hyjë në furrë) e hudhni vajin dhe, posa të ngrohet pak, e hudhni qepën dhe e përzhitni deri sa të ndjeni aromën
  4. I shtoni hudrën me xhenxhefilin dhe e përzhitni deri sa ndjehet aroma (30 sekonda),
  5. I shtoni karrotat dhe patëllxhanin dhe i përzhitni afro 3-4 minuta deri sa patëllxhanët janë zbutur pak
  6. Tani i shtoni të gjitha mëlmesat një nga një dhe i përzhitni pak duke u kujdesur që të mos digjen
  7. Nëse përdorni domate të freskëta së pari e shtoni purenë dhe e përzhitni pak dhe i shtoni domatet e freskëta, i përzhitni deri sa të trashen pak. Nëse përdorni domate nga kanaqja atëherë e leni për fund dhe poashtu nuk ju duhet pureja e domates
  8. Tani i shtoni mishin dhe qiqrat dhe i përzieni të gjitha mirë. Nëse ju duket e trashë apo e thatë i shtoni pak ujë dhe e prisni të marrë valë
  9. Nëse jeni dukë përdorë domate në kanaqe atëherë ia hudhni tani dhe nëse ka copa të mëdha domatesh i shtypni pak me lugë. I shtoni një gjysëm kanaqe ujë dhe e prisni të marrë valë
  10. Ndërkohë e startoni furrën në 200°C
  11. Derisa të nxehet furra e leni që këri të ziejë edhe pak dhe para se ta futni në furrë i qitni pak kos (nëse keni përdorë domate të freskëta, përndryshe nuk ka nevojë) duke u kujdesur mos të kokërrzohet
  12. E fusni në furrë për afro 20 minuta dhe pastaj e leni të pushojë jashtë furrës afro 5 minuta dhe e servoni me petë, pitalka apo thjesht me bukë.

Servimi

E servoni në pjata të sheshta apo të thella, varësisht si ju pëlqen, me pak magdanoz apo mentë/dhjosëm. Anash mund të servoni pak kos të freskët ose ndonjë sallatë të gjetheve. Këri në frigorifer qëndron afro 4 ditë dhe vetëm sa i rregullohet shija.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment