Për këtë akullore nuk na duhen vezë, as tamël/qumësht dhe as sheqer. Kjo është akullorja më e shpejtë, shumë e shijshme dhe më e shëndetshme në krahasim me akulloret tjera që përmbajnë shumë sheqer. Për këtë ju duhen dy banane të ngrira që janë shumë të pjekura dhe fruta mali të ngrira. Pra, sa herë që keni banane që janë të ndejura dhe me lëkurë të kaftë por, që ende e kanë shijen e mirë, dmth nuk janë thartuar, në vend që ti hudhni, i coptoni dhe i futni në një qese të mbyllur në friz që të ngrihen mirë. Gjithmonë shënoni në qese se sa banane janë që ta dini kur ju duhen për ndonjë recetë. Edhe frutat e malit (cilatdo që i keni) në këtë rast patjetër na duhen të ngrira.

Për këtë recetë është i domosdoshëm një mikser i mirë që i bluan mirë frutat e forta të ngrira. Përpos që bëhet shumë shpejtë, kënaqësia më e madhe është se mund të servohet menjëherë.

Përbërësit

  • 2 banane të ëmbla të coptuara dhe të ngrira
  • 3 filxhana (2.2 decilitërsh) fruta mali që i keni në ngrira (mund të kombinoni edhe pak aronia nëse keni)
  • 3/4 e filxhanit kos i freskët i trashë që ia hiqni cikun (ose jogurt i trashë)
  • 2 lugë mjaltë jo e trashë
  • 2 lugë sirup panje (maple sirup), nëse nuk keni thjesht i shtoni edhe 2 lugë mjaltë

Përgaditja

  1. Së pari i hudhni frutat në mikser dhe i bluani mirë
  2. I shtoni pastaj të gjithë përbërësit tjerë dhe i miksoni edhe afro 5 minuta, duke e ndërprerë herë pas here që ti shtyni poshtë pjesët që mbeten në sipërfaqe pa u përzier
  3. E shërbeni menjëherë në gota të gjata
  4. Nëse do ta servoni më vonë, e hudhni në një enë që mbyllet mirë dhe e mbani në friz deri në momentin që doni ta shërbeni
  5. Para se ta shërbeni, nëse ka qëndruar gjatë në friz, e nxerrni nga frizi afro 5 minuta përpara, që të mund ta merrni më lehtë me lugën e akullores
  6. Kur të lirohet pak nga ngrirja, e mblidhni me lugë të akullores në formë të topthave dhe e shërbeni në enë klasike të akullores

Servimi

Nëse dikujt nuk i mjafton ëmbëlsia, mund ti shtoni pak mjaltë ose çokollatë të shkrier apo sirup panje mbi toptha.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment