Nëse ju duhet që të bëni shpejtë diçka për musafirë (edhe për veti), kjo është recetë fantastike dhe e shpejtë që kur servohet me bukë misri apo çips të misrit shkon shumë mirë me birrë, sidomos Corona.

Krejt çka ju duhet është një avokado e butë, d.m.th. e përshatshme për tu shtypur, dhe kos i trashë i freskët. Mund ta bëni edhe me kos të kulluar nëse keni të mirë apo me pavllakë të thartë nëse doni ta bëni më kremoze. Për mua me kos është më e lehtë, ka më pak yndyrë, prandaj e preferoj kosin.

Përbërësit

  • 1 avokado mesatare pak e butë në prekje
  • 2-3 lugë gjelle lëng limoni ose limoni të gjelbër (limet)
  • hudër pluhur (nëse nuk keni, mund ta ndrydhni mirë një thelpi hudre që të lëshon aromat, jo ta shpërbëni se duhet ta hiqni pasi që të ketë lëshuar aromën)
  • pak kripë
  • pak piper i zi
  • pak piper i kuq i djegës (opcionale)

Përgaditja

  1. Së pari e preni avokadon mes për mes dhe e largoni farën. E qëroni me dorë, me thikë apo me lugë, sido që ju vjen më lehtë. E qitni në një enë të thellë dhe menjëherë e lagni me lëngun e limonit (apo limetit). I hudhni kripën dhe piperin dhe filloni ta shtypni me pirun deri sa të bëhet masë kremoze por me ndonjë copë të vogël aty-këtu
  2. I shtoni kosin dhe pluhurin e hudrës. Nëse nuk keni pluhur hudre e qitni hudrën e ndrydhur mirë që të lëshojë aromën dhe shtoni edhe piperin e kuq të djegës nëse ju pëlqen (mund ta leni për kohën e servirjes)
  3. E leni pak të rrijë e mbuluar në frigorifer, përndryshe nëse nuk keni kohë mund ta servoni menjëherë. Mos harroni ta largoni thalbin e hudrës para se ta servoni nëse e keni përdorë në vend të pluhurit

Servimi

E servoni me bukë të misrit apo çips të misrit, me petë të pjekura ose si salcë për burger vegjetarian apo edhe të mishit. Mund ta përdorni në vend të majonezit, me sallmon të tymosur ose sido që ju pëlqen juve.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment