Kjo recetë klasike, por me një ndryshim, është shumë e mirë për ditët e verës kur nuk doni të kaloni shumë kohë në kuzhinë dhe doni të pregatisni diçka të shpejtë. Me këtë recetë do të keni pasta të lëngshme e jo të thata, dhe magjia është në përdorimin e lëngut ku janë zier pastat. Përmbajuni këtyre hapave dhe gjithë do të keni pasta perfekte:
1.Sa herë që i zieni pastat, gjithmonë para se ta derdhni lëngun pra ti kulloni, e ndani një gotë ujë nga pastat. Ky lëng ju ndihmon që çfarëdo salce që pregatisni për pastat ta bëni më kremoz dhe ju ndihmon që të bëhet lidhja në mes të pastave dhe salcës.
2. Kurrë mos hudhni vaj në ujin ku i zieni makaronat, është absolutisht e panevojshme.
3. Kurrë mos harroni që të hudhni kripë në ujin ku i zieni makaronat dhe gjithmonë i hidhni mjaftueshëm, kripën në ujin për makarona e hudhni vetëm pasi që të ketë marrë valë uji.
4. Kur të marrin valë makaronat, temperaturën e mbani gati në maksimum (varësisht prej fortësisë së zjarrit që e keni) dhe gjithmonë e leni të hapur, pa kapak.
5. Pastat i përzieni pak vetëm në fillim pasi që ti kenu futur në ujë të vluar që mos të ngjiten njëra me tjetrën, përndryshe nuk ka nevojë të përzihen më tutje.
6. Mos i zieni shumë, minutat e zierjes numërohen prej momentit që pastat marrin valë, pastat zakonisht e kanë shenjën se sa minuta i duhet për tu zier. Pastat duhet të jenë të ziera por jo të qullta pra duhet ta ruajnë formën e vet pasi që do të zihen edhe një kohë në salcë, prandaj nuk ka rrezik që do të mbesin të paziera. Nëse nuk jeni të sigurtë sa janë zier mund ta merrni një makaron dhe ta provoni duke u kujdesur që mos të digjeni, kështu do të keni idenë se a duhet edhe shumë apo vetëm edhe pak për tu zier.
7. Pasi që i keni kulluar pastat dhe nëse e keni në plan që ti bëni më vonë me salcë, mund ti hudhni pak vaj ulliri dhe ti përzieni mirë duke e lëvizur enën ku do ti mbani (mos përdorni lugë) që të mos ngjiten me njëra tjetrën. Mund ti mbani edhe në frigorifer deri në momentin kur do të bëni salcën. Kur ju duhen, i nxjerrni së paku 15 minuta më herët nga frigoriferi që të marrin temperaturën e dhomës.
Mund ta bëni me çfarëdo lloj paste që keni por më të përshatshmet do të jenë pastat (makaronat) që kanë formën për të mbajtur më shumë salcat. Poashtu, pastat me ve nuk do të japin të njejtin rezultat prandaj për këtë recetë ju nevojitet pasta nga mielli durum. Unë në këtë recetë kam përdorë pastat në formë të pullës apo diskut.
Përbërësit
- 250 gr pasta
- 1,5 litra ujë
- 1 lugë e mesme kripë
- 2-3 lugë vaj ulliri
- 150 gr djath i bardhë (i dhisë, i deles apo i lopës)
- 1-2 thelpinj hudër të grimcuar imët (varësisht prej madhësisë)
- borzilok i freskët vetëm gjethet, çaj mali të veriut (majoran) vetëm gjethet e freskëta, kopër apo magdanoz (mund ti kombinoni të gjitha apo cilëndo që ta keni)
Përgaditja
- Së pari e hidhni ujin në një enë të thellë dhe e leni të vlojë. Kur të merr valë, i hudhni kripën dhe pasi që të duket që e ka rimarrë valën, i hudhni makaronat. Pritni deri sa të marrë valë, e përzieni pak me një lugë të madhe që të mos ngjitet dhe e leni të ziejnë aq minuta sa thotë në ambalazhën e pastave që i përdorni
- Deri sa të ziejnë makaronat qëroni dhe grimconi hudrat. Shtypni djathin me një pirun apo me duar dhe e leni gati
- Barishtet që do ti përdorni i shpërlani dhe i shkundni mirë dhe pastaj i ndani gjethet dhe i leni gati në dërrasë që ti grimconi pak para se ti hudhni në pasta, kjo bëhet krejt në fund që të ruhet aroma dhe ngjyra e barishteve
- Kur janë zier pastat me lugën e madhe e mbushni një gotë me lëngun e pastave (2 – 2.5 dcl)
- Pas kësaj kulloni pastat dhe i ktheni në enën ku janë zier. Nëse doni ti përdorni më vonë, i hudhni pak vaj ulliri, i trazoni mirë me enën ku janë që të përzihen mirë me vaj dhe i mbyllni me kapak për më vonë, mund ti mbani në frigorifer pasi që ftohen. Nëse doni ti përdorni menjëherë i leni në enë pa kapak deri sa të filloni me salcën
- Tani në një fërtere pak më të thellë (mundeni edhe në wok) e hudhni vajin e ullirit dhe si të fillon të ngrohet pak (jo shumë) i hidhni hudrat që të përzhiten për 30 sekonda dhe i hudhni në të menjëherë pastat
- I përzieni pastat me kujdes që të mos coptohen deri sa të mbështillen mirë në vaj dhe i hudhni djathin e grimcuar
- Duke e përzier me kujdes, kur vëreni që djathi ka filluar të shkrihet (kjo fillon menjëherë) ia hudhni gjysmën e lëngut të pastave që e keni nda. Tani e lëvizni nga pak enën dhe prisni deri sa të shteret pak lëngu
- Nëse ju duket që salca nuk është mjaft kremoze e hudhni edhe pjesën tjetër të lëngut. Duke e përzier me kujdes, kur vëreni që ka filluar pak të trashet e ndalni temperaturën komplet dhe i grimconi barishtet.
- I shtoni barishtet, e përzieni shumë lehtë që të shpërndahet njëtrajtësisht dhe e servoni menjëherë
Servimi
Si zakonisht pastat servohen menjëherë. Mund ti shërbeni me pak piper të zi dhe ndonjë sallatë anash. Nëse nuk keni barishte mund të shtoni rigon të terur dhe pak këpurdha. Këpurdhat e coptuara i përzhitni menjëherë pas hudrave dhe pastaj vazhdoni me recetën.


Ju bëftë mirë!