Këri është specialitet i Indisë dhe të vendeve tjera përreth që e kanë kulturën e gatimit të ngjajshme. Në Indi secili gatim e ka emrin e vet karakteristik, “këri” në të vërtetë e ka marrë emrin nga Anglezët. Kërit pregatiten lehtë sidomos nëse e mësoni principin bazë. Përzierjen e mëlmesave për këri e gjeni lehtë në shitore – si “këri pluhur” e cila zakonisht përbëhet nga farat e mokthit (trëndelinës), turmerikut, koriandërit, xhenxhefilit, sinapit, piperit të zi, kardamomit dhe kanellës. Që të mos mundoheni ta bëni vet këtë përzierje thjeshtë e bleni të gatshme por keni kujdes se ka disa prodhues Kosovar që turmerikun e quajnë gabimisht këri e këtë mund ta dalloni thjesht nga aroma. Turmeriku e ka aromën e fortë shpuese deri sa tek këri vërehet lehtë aroma e trëndelinës (mokthit) dhe të tjerave që janë më të buta dhe lehtësisht të ëmbla.
Para se të filloni me zierjen është mirë që ti bëni gati të gjithë përbërësit dhe ti grini të gjitha që kanë nevojë të grihen. Këri në përgjithësi i ka përbërësit e ngjajshëm por mund të bëni dallimin nëse përdorni si lëng për zierje tamlin (qumshtin) e kokosit, domate të konzervuara, lëngun e mishit apo kosin. Kur filloni për herë të parë, deri sa të mësoheni me shije, ju preferoj që ta bëni me domate siç është në këtë recetë. Këri zakonisht bëhet me mish pule, mund ta bëni me mish të bardhë kur nuk keni shumë kohë, por bëhet edhe me çfarëdo mishi tjetër, si psh me mish të bluar kingji (qengji), mish të edhit (kecit), mish viçi dhe fruta deti. Mund ta servoni me oriz basmati aromatik ose me petë ose edhe thjeshtë me bukë dhe poashtu me pak kos anash. Tamli (qumshti) i kokosit përshatet me mishin e pulës dhe frutat e detit deri sa mishrat e kuqe shkojnë më mirë me domate dhe kos.
Përbërësit:
- 1 filxhan (2.5 dcl) oriz basmati aromatik, i shpërlarë mirë
- 2 filxhana ujë për zierje të orizit
- 1 kg krahë pule ose 400 gr mish të bardhë të coptuar në katrorë afërsisht të njëtrajtshëm
- 1 qepë e madhe (e bardhë ose e kuqe ose të kombinuara si në foto)
- 2-3 thelpinj hudër
- 1 copë xhenxhefil
- 1 patate dhe 2 karrota (ose në vend të tyre mund të përdorni një patate të kuqe përreth 300 gr)
- 1 kanaqe 400 ml domate të konzervuara nëse gjeni italiane ose 400 ml tamël i trashë kokosi në kanaqe
- pak vaj ulliri (apo luledielli) për përzhitje
- pak kripë
- pak piper i zi
- 1 lugë e mesme piper i kuq i ëmbël
- pak piper i djegës (nëse ju pëlqen pikante)
- 1,5 lugë gjelle pluhur këri
- Pak gjethe spanaqi, ose gjethe keli, apo ceklla (pazia) (të dodmosdoshme nëse e bëni me tamël/qumësht kokosi)
Përgaditja
- Së pari i pastroni mirë krahët e pulës dhe i terni me letër kuzhine, nëse e bëni me mish të bardhë e coptoni, dhe i leni në një pjatë
- Në ndërkohë e qitni ujin në një tenxhere të vogël dhe posa të merr valë i hudhni orizin. Sapo të merr valë e ktheni në minimum dhe e leni kapakun pak të hapur anash. Orizi duhet të zihet brenda 20 minutave. Nuk i hudhim kurrfarë mëlmesa (përpos nëse doni pak kripë) për shkak se të gjitha do të jenë në këri
- Kur të zihet orizi e ndalni temperaturën dhe e mbyllni me kapak dhe i vini një letër kuzhine përfundi kapakut
- Deri sa zihet orizi grimconi me thikë të gjithë përbërësit tjerë. Karrotën mund ta bëni në fletë të holla me mandolinë që të zihet më shpejtë. Nëse përdorni patate të kuqe në vend të patates së bardhë dhe karrotës, e coptoni në katrorë afërsisht të njëtrajtshëm, jo shumë të mëdha që të zihen më lehtë
- Pastroni gjethet e spinaqit, apo cilatdo që i përdorni, dhe i preni ngapak pasi që do të shkrihen në këri dhe nuk ka nevojë të grimcohen imët
- Në një tepsi të thellë me madhësi mesatare (ose në ndonjë enë tjetër që mund të hyjë në furrë) e hudhni vajin dhe, posa të ngrohet pak, e hudhni qepën dhe e përzhitni deri sa të ndjeni aromën
- I shtoni hudrën me xhenxhefilin dhe e përzhitni deri sa ndjehet aroma (30 sekonda)
- Tani i shtoni mishin dhe e përzhitni në të gjitha anët që të skuqet pak (afro 15 – 20 minuta) për krahët, ndërsa mishin e bardhë e hudhni pas patateve dhe karrotës dhe e përzhitni 15 minuta deri sa të skuqet pak
- Tani e shtyeni mishin në njërën anë dhe filloni ti shtoni perimet, së pari patatet dhe pastaj karrotat (ose vetëm pataten e kuqe)
- Përzhitni deri sa të zbuten pak dhe kur vëreni që patatet kanë fillu të zbuten filloni me mëlmesat
- I largoni prap mishin dhe perimet në një anë dhe i hidhni mëlmesat një nga një dhe i përzhitni pak që të lirojnë aromën
- Tani e përzieni edhe mishin dhe perimet me mëlmesat dhe vazhdoni ti përzhitni edhe pak duke pasur kujdes që të mos ngjitet në fund
- Tani i hudhni domatet nga kanaqja dhe i shtypni pak nëse janë copa të mëdha domatesh (ose nëse e përdorni, tamlin/qumshtin e kokosit). Mbusheni kanaqen e domateve deri në gjysmë me ujë dhe ia shtoni kërit që ti shtohet pak lëng pasi që do të shteret në furrë. Nëse përdorni tamlin e kokosit në vend të domateve, nuk keni nevojë ti shtoni ujë. Në këtë moment e lëshoni furrën në 200°C dhe deri sa të nxehet furra e leni kërin të ziejë edhe pak
- Para se ta fusni kërin në furrë i shtoni lakrat që përdorni dhe i fundosni që të mos thahen në furrë, pra të mbulohen me lëngun e kërit
- E leni në furrë 30 minuta (mishi i bardhë) ose 45 – 60 minuta (krahët) dhe pastaj e leni të pushojë jashtë furrës afro 5 minuta dhe e servoni me orizin që e keni zier në fillim
Servimi
E servoni në pjata të sheshta, së pari qitni 2-3 lugë oriz dhe pastaj ia hudhni përmbi kërin. Anash mund të përdorni kos nëse e keni kërin me lëng domatesh. Orizin që ju tepron duhet që menjëherë ta fusni në frigorifer, orizi nuk preferohet të mbahet në temperaturë të dhomës. Këri në frigorifer qëndron afro 4 ditë dhe vetëm sa i rregullohet shija.




Ju bëftë mirë!